Flash News

KRYESORE

“Makinë paniku që punon me ligësi”, kallëzohet në Prokurori ish-kryeministri Sali Berisha

“Makinë paniku që punon me ligësi”, kallëzohet

Ish-kryeministri Sali Berisha është kallëzuar sot penalisht nga grupi parlamentar i PS, së bashku me një grup deputetësh, të cilët e akuzojnë për përhapje të informacioneve të rreme dhe që ngjallin panic në rrjetet sociale, lidhur me koronavirusin.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i grupit të PS-së,Taulant Balla informon se është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallëzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik.

Balla e cilëson Berishën “një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët”, referuar edhe situatës me koronavirusin në Shqipëri.

Reagimi i Ballës

Këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhrat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut. Dhe më e ndyrë se përhapja e panikut, është përhapja e qëllimshme e panikut.

Në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP. Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët.

Sapo është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal, kundër shtetasit Sali Berisha, i biri i Ram dhe Sheqere, i datëlindjes 15.10.1944 lindur në Tropojë e banues në Tiranë.

Ne dhe publiku shqiptar kemi besimin se institucioni i Prokurorisë, në bashkëpunim me gjykatën dhe kushtëzimet proceduriale, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurim, dhe presim me vëmendjen maksimale dhënien rrugë të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse.

Çdo veprim i Drejtësisë në respekt të ligjit, nuk është thjeshtë një përgjigje ndaj veprimeve të qëllimshme panikuese të të akuzuarit, por është edhe shprehje e ushtrimit të detyrës institucionale dhe qytetare në mbrojtje të jetës dhe sigurisë publike, si dhe të vlerave e parimeve të lirisë së fjalës, demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Deputetët që kanë paraqitur kallzimin, shprehin gatishmërinë për tu vënë dispozicion të veprimeve hetimore në çdo moment, të bindur se Prokuroria do të angazhohet seriozisht për hetimin e të akuzuarit dhe për ta vënë atë para drejtësisë sipas kompetencave dhe procedurës së parashikuar nga ligji.

Të fundit