Flash News

KRYESORE

Makthi në Kapshticë, qindra qytetarë do të kalojnë natën jashtë: Është shumë e vështirë! 130 euro për person për të kaluar në Greqi

Makthi në Kapshticë, qindra qytetarë do të kalojnë

Vijon makthi i pritjeve të gjata të emigranteve shqiptare për të kaluar drejt Greqisë. Mbyllja e sporteleve këtë të shtunë, pas përmbushjes së kuotës me 300 persona në ditë, bëri të mundur formimin e radhëve të para në pikën kufitare të Kapshticës.

Radhët kanë filluar të shtohen më tepër këtë të dielë, ndërsa dhjetëra qytetarë vijojnë ende të presin në kufi, për shkak të mbylljes së sporteleve pas 2 deri në 2 orë e gjysmë pune në mëngjes nga përmbushja e kuotës ditore.

Në një prononcim për mediat, qytetarë të shumtë që vijojnë të qëndrojnë në pritje, përveç datave për rifillimin e punës, kanë ngritur si problematikë kryesore mbarimin e afatit të tamponit. Aplikimi për të i kushton një personi jo vetëm kohë, por edhe financiarisht pasi kushton 130 euro. Qytetarët thanë se edhe sot do ta kalojnë natën jashtë në kufi për të pritur që të kalojnë nesër në Greqi, sapo të hapet pika kufitare. Në radhët e pritjes ka edhe fëmijë e të moshuar.

“Kjo pritje është torturë. Jam i sëmurë, do ta kaloj natën jashtë. Kjo është shumë e vështirë. Shefi i madh na ka thënë se do kalojmë nesër me të njëjtin tampon, shpresojmë të kalojmë”, tha një qytetar.

“Është shumë e vështirë të presësh mbi 12 orë dhe të kalojmë edhe natën këtu. Është edhe koronavirusi, jemi mbi 50 vetë në autobus. Është më mirë të rrimë natën këtu në këmbë, se në autobus”, u shpreh një tjetër qytetar.

Disa ankohen për kushtet. “Nuk kuptoj pse na mbajnë këtu dhe jo në doganë. E di se do kaloj nesër, por këtu nuk kemi as banjë, jemi me gra, ku do të rrimë?”, thotë njëri prej personave në radhë.

Situata e radhëve në pritje ka vijuar gjatë gjithë ditës së dielë, ku policia kufitare shqiptare njoftoi që në orën 8 të mëngjesit se nuk do të lejohej më askush të kalonte nga Kapshtica, pas plotësimit të kuotës 300 persona.

Të fundit