Flash News

KRYESORE

Mali i Zi zëvendëson shqiptarët si kundërpeshë ndaj Serbisë, reagon Daçiç: Ju respektojmë, por mos e teproni

Mali i Zi zëvendëson shqiptarët si kundërpeshë ndaj

Ndonëse është një vend me vetëm 600 mijë banorë, Mali i Zi ka zëvendësuar shqiptarët në rajon si kundërpeshë ndaj ndikimit në rritje të Serbisë. Podgorica ka ndryshuar qartësisht qëndrim ndaj Beogradit pas tentativës për grusht shteti, një vit më parë, i përgatitur nga agjentë serbë dhe rusë.

Kjo sjellje e Malit të Zi nuk po pritet aspak mirë në Serbi dhe i fundit që ka reaguar është ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, i cili ka ironizuar rolin që ka fqinji i tij në Ballkan.

“Ne e respektojmë Malin e Zi si shtet, por është ekzagjerim i madh të thuash se ka rol drejtues në avancimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nëse është kështu, t’i lëmë ata të zgjidhin problemet e stabilitetit dhe sigurisë”, ka deklaruar Daçiç duke iu referuar nivelit të lartë të përfaqësimit të shteteve ballkanike në samitin e Kartës së Adriatikut, që u zhvillua në Podgoricë.

Me anëtarësimin në NATO dhe avancimin e shpejtë drejt BE-së, Mali i Zi po kthehet në një aktor aktiv në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht inferioritetit ekonomik dhe politik krahasuar me fqinjët e tij, si Kroacia, Serbia dhe Shqipëria. Podgorica është shprehur kundër çdo bashkimi ballkanik që favorizon Serbinë, qëndrim që nuk është mbajtur kaq hapur as nga Tirana.

Në samitin e Triestes, ishte pikërisht Podgorica dhe Prishtina që bënë rezistencë, ndonëse pa sukses, ndaj tregut të përbashkët ballkanik, ndërsa organizimi i samitit të Kartës së Adriatikut, me pjesëmarrjen e zv/presidentit amerikan, e vendosi në qendër të vëmendjes rajonale dhe europiane, vendin e vogël ballkanik.

Të fundit