Flash News

KRYESORE

Maqedonia konfirmon Turqinë si aktor në Ballkan, Ivanov elozhe Perandorisë Osmane: Jemi ndryshe nga Perëndimi; BE po dështon

Maqedonia konfirmon Turqinë si aktor në Ballkan, Ivanov elozhe

Do të jetë Maqedonia vendi nga ku Turqia do të konfirmohet si aktor i pavarur dhe i fortë në përpjekjet për influencë në rajonin e Ballkanit. E fokusuar shpesh herë në lidhjet fetare dhe historike, Turqia asnjëherë nuk ka arritur të rivalizojë ndikimin e SHBA-së, Rusisë apo BE-së në rajonin problematik, por gjërat po ndryshojnë me shpejtësi.

Presidenti i Maqedonisë, Gjeorge Ivanov ka preferuar Forumin për Lidership Global 2017, i organizuar nga Universiteti Bahçeshehir në Stamboll, për të dhënë mesazhe të forta ndarjeje me Perëndimin dhe Bashkimin Europian.

Ivanov është shprehur se Jugosllavia dhe BE kanë të përbashkët problemin e mospasjes së mekanizmave të duhur për veprimin në kohë krizash.

“Gjithçka është perfekte derisa zgjat paqja. Problem i përbashkët i Jugosllavisë dhe BE-së është mosekzistimi i metodës për menaxhim me kriza”, ka deklaruar ai duke theksuar se edhe Jugosllavia ka qenë një projekt paqeje.

Ai ashpërsoi gjuhën ndaj Brukselit kur nisë të flasë për proceset integruese euro-atlantike të vendit të tij, ndërsa paralajmëroi se BE po rrëzohet sa i përket çështjes maqedonase.

“BE po bie në provimin për çështjen e Maqedonisë. Ndonëse BE-ja, nga njëra anë promovon të drejtat e njeriut, mbrojtjen e identitetit personal dhe të drejtat tjera, nuk i bën të vlefshme për Maqedoninë”, raportohet të jetë shprehur Ivanov.

Më pas presidenti maqedonas i ka thurur eloze periudhës Osmane, ndërsa foli për një ndarje të qartë të Ballkanit me Perëndimin.

Ivanov theksoi se “gjatë periudhës Osmane fe të ndryshme, gjuhë dhe raca të ndryshme me shekuj kanë jetuar së bashku, por europianët nuk e kanë kuptuar ende këtë”.

“Bota në aspektin global në paqe ka jetuar 300 vite. Këtu ballafaqohemi me një paradoks. Mund të shohim se vitet më të gjata të paqes vërehen në Ballkan, Kaukaz dhe në Lindjen e Mesme. Sot nëse dikujt nga përfaqësuesit e BE-së ua përmendni Ballkanin, Kaukazin ose Lindjen e Mesme, do të rrëqethen. Nuk arrijnë të kuptojnë se paqja ka ekzistuar shumë vite në këto territore. Ku Kaukazi, Lindja e Mesme dhe Ballkani posedonin hapësirë të hapur, këtu edukoheshin persona me mendje të hapur, pa paragjykime. Në mjedise të tilla njerëzit duhet të besojnë në një fuqi të pavarur dhe të drejtë. Në histori mund të regjistrohet 'Pax Romana', do të thotë Paqja Romake. Më pas së bashku me Periudhën Osmane filloi edhe Paqja Osmane”.

“Protestantët dhe katolikët në Evropën Perëndimore pas luftimeve shumëvjeçare lidhën paqe dhe kaluan në sekularizëm, ndërsa fenë e mbyllën në një kornizë të veçantë. Me këtë ngjau një pikëpamje e quajtur tolerancë, që paraqet vënien e fesë në kornizë të veçantë. Tolerancë në kuptimin: ndonëse nuk ju dua, unë do t’ju duroj. Në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe në Ballkan nuk ka zakon të tillë. Tek ne ekziston filozofia e respektimit të ndërsjellë. Për këtë shkak pjesëtarët e feve dhe gjuhëve të ndryshme me shekuj arritën të jetojnë bashkë. Respekti i ndërsjellë është shumë më i shenjtë dhe sublime se toleranca e Perëndimit. Andaj me shekuj krishterët, muslimanët dhe hebrenjtë kanë jetuar me respekt të ndërsjellë. Në Periudhën Osmane kjo është quajtur sistem popullor”, theksoi presidenti Ivanov.

Maqedonia është një aleat i afërt i Turqisë, ndërsa lidhjet e Shkupit me Ankaranë po forcohen me shpejtësi pas nisjes së krizës politike në vendin fqinj me Shqipërinë. Turqia u shpreh e gatshme për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës dhe deri më tani kjo ofertë nuk është refuzuar nga politikanët maqedonas.

Të fundit