Flash News

KRYESORE

Maratona e Tiranës, spin apo sport?

Maratona e Tiranës, spin apo sport?

Alfred Lela

Pakënaqësitë e përgjithshme tregohen më mirë me histori personale. Të kesh një të tillë ndihmon. Ja edhe imja: Pas 'maratonës' me biçikletë në fshatrat përqark Tiranës, dhe një kafeje te Mulliri i vjetër i Sheshit Wilson, një pikë që me miqtë e kemi pagëzuar 'Angels Coffee', në gëzim të vajzave të reja e të buzëqeshura, do të më duhej të kryeja ritin e një vizite ngushëllimi.

Te Besnik Mustafaj, babai i të cilit u nda këso jete para pak ditësh. Nisemi. Pjesa fundore e 'MShyrit', nga Adidasi deri te Gjykata e Lartë ishte 'e çliruar' nga makinat. Për të penguar aksesin në zonën e qendrës ku do 'të derdhej' Maratona e Tiranës. Prej aty duhej gjetur një shteg për te 'MPeza', diku afër Ambasadës polake, pika e mbërritjes. Nga 'MShyri' deri në Rrugën e Kavajës, ishte një fillim i mbarë. Kur dalim mbi Ministrinë e Mirëqenies, bëjmë përpjetë deri te kryqëzimi i Bankës. Aty polici, me mirësjellje, na thotë se mund të kalojmë në anën tjetër te Ura e Tajvanit ose te karburanti ngjitur me ish-Lidhjen e Shkrimtarëve. Kthehemi mbrapsht për te karburanti, aty ku është parashikuar një 'ngritje trau' për këmbësorë apo çiklistët që nuk duan të vrapojnë në maratonë, por duan të rendin për diku, gjithsesi. Një pjesë e rrugicave që lidhin rrugën e Kavajës me atë të Durrësit janë bllokuar për makinat. Këmbësorët dhe shoferët, kur kapin rrugën e Durrësit shpengohen, sepse nuk ka pengesa në të. Dhe, kur Rruga e Durrësit është e hapur, si do guxonte e vogla 'Mine Peza'.

Kthimi ndjek gjurmët e ardhjes por, për të shkuar te ABA Center duhet t'i biesh përmes Bllokut e të dalësh te Libri Universitar pastaj të ngjitesh te Presidenca e të kthehesh majtas në Bulevard, të dalësh në brinjë të Rognerit dhe, djathtas te Ambasada italiane.

Me pak fjalë, ta kapësh veshin e majtë me këmbën e djathtë. 

Gjatë gjithë rrugës ndeshje njerëz që shfrynin e shanin, por edhe në ata që këndelleshin kafeve dhe i gëzoheshin atyre që vraponin. Ishte një ditë e bukur për të mos shkuar askund.

Si gjithmonë, edhe për garën e sotme, si për çdo ngjarje të jetës, e kish një përmasë histerie në reagimet e rrjeteve sociale. Një palë e naltonin me lavde më të shumta se rendjen nga Maratona në Athinë, dhe të tjerë e fundosnin njëqind pashë shqiptare nën dhe, sikur të ishte një turp kombëtar.

E ekzagjerojnë oponentët dhe proponentët, por faji i teprimit i shkon kryetarit të Bashkisë. Sepse ai është autoriteti. Tek shtrirja e Maratonës, fizikisht, në aq shumë qytet; tek pompozitetit i një aktiviteti që kishte më të madhe zhurmën se impaktin dhe rëndësinë; tek përpjekja për të bërë spin edhe me një ngjarje që nuk duhet të jetë më shumë se sport, qëndron ekzagjerimi.

Ja një itinerar alternativ, nëse më lejohet. Merre Bulevardin, falur të qoftë. Tirana ta jep, se ua ka lejuar partive që kanë nxjerrë aty gabzherrët, dhe OJQ-ve që kanë nxjerrë lekët; pse të mos ua japë disa qindra vetëve që duan të vrapojnë e të promovojnë shëndetin e mirë dhe sportin. Por, Bulevardi mund të ishte pika e nisjes dhe e mbylljes. 'Rrethrrotullimi' i Maratonës mund të jenë kodrat e Liqenit, zona e Kopshtit Botanik, e përpjeta që të nxjerr te lapidari ku partizanët qëlluan me top Pallatin e Mbretit, e me radhë Farka, Baldushku dhe zigzagu deri te rrethrrotullimi i TEG-ut. Rrugët e kurorës së fshatrave të Tiranës janë të shtruara, dhe ajri është i qashtër si një foshnjë.

Tirana mund të kishte dy të diela: një për idilikët e 'lazy like a Sunday morning', dhe një për sanguinët e sportit.

Kur ke një alternativë solide dhe zgjedh shtegun më bërtitës, mos ndoshta je duke bërë spin dhe jo sport?

 

Të fundit