Flash News

KRYESORE

Marrëveshja e detit/ Nazarko dhe Hila: 12 milje i takon Greqisë; do e përdorë si precedent kundër Turqisë. Murati: Tirana ka 3 qëndrime

Negociatat për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi kanë dominuar lajmet dhe opinionet në portale dhe gazetat shqiptare.

Shumë analistë kanë dhënë opinionet e tyre për deklaratën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, se Shqipëria ka njohur 12 milje detare të territorit grek.

Mentor Nazarko shkruan te ‘Konica’ se është normale që Greqia të ketë 12 milje ku hapësira detare është më shumë se 24 milje, sepse pjesa tjetër do i takojë Shqipërisë.

“Nga kjo deklaratë, për të cilën po bëhet zhurmë, po arrihet në përfundimin infantil që mund të shfryhet shpejt, se Shqipëria jo vetëm ka konfirmuar marrëveshjen e Berishës, por ka dhënë dhe 12 milje të tjera. Kjo ngjan banale. Nga aq pak sa ka folur Kotzias në këtë intervistë, nga aq pak sa dihet prej burimeve të tjera, kuptohet se Marrëveshja është rinegociuar, ndonëse pa lëvizur në termat kryesorë juridikë. Deti territorial prej 12 miljeve i mundësohet shteteve që ndajnë det vetëm atje ku hapësira është më shumë sesa 24 milje. Çka do të thotë se nëse Greqia në zonën e Korfuzit do të ketë në pjesë të caktuara det territorial prej 12 miljesh, edhe Kontinenti, d.m.th. Shqipëria do ta ketë. Nuk ka asnjë mundësi tjetër, sepse ky është parim elementar i Marrëveshjes së Detit. Ah, nuk kemi të dhëna të tjera për rinegocimin, por për pjesën e 12 miljeve, kjo duket plotësisht e qartë. Me gjithë entuziazmin dhe deri diku qartësinë e gazetarit grek që pastaj e pyet Kotziasin për Zonën Ekskluzive ekonomike, kjo ngjan se është e vetmja e vërtetë në lidhje me 12 miljet. Kjo përgjigje ngjan si tullumbace e qëllimshme propagandistike për opinionin grek, që po ushqen dhe opinionin shqiptar në formën e një qershie të hidhur… mbi tortën e marrëveshjes”, shkruan Nazarko.

Më tej, ai thekson: “Me gjasë modeli i ndarjes së detit me Shqipërinë mund të përdoret dhe me vende të tjera si Libia, Egjipti, dhe të përdoret si precedent presioni ndaj Turqisë.”

Edhe Dritan Hila në shkrimin e publikuar te ‘Dritare’ thotë se në rast se Shqipëria ka njohur 12 milje detare të Greqisë, nuk kemi të bëjmë me shitje territori, por e shumta me mungesë reciprociteti. Pjesë problematike sipas Hilës është ai territor me më pak se 24 milje dhe këtu negocitatat janë të vështira.

“E gjithë furtuna nis nga deklarata e Kotzias në televizionin grek ERT se Shqipëria njohu të drejtën e Greqisë për 12 milje ujëra territoriale. Ky është një veprim normal i Shqipërisë nëse do të futet në BE dhe mbi të gjitha si nënshkruese e konventës së UNCLOS apo e njohur me emrin e vend nënshkrimit, Konventa e Montegobay. Por errësira që po mbulon bisedimet nuk sqaron nëse edhe Greqia ka njohur këtë të drejtë tonë për 12 milje ujëra territoriale? Deri këtu nuk ka shitje territori, por e shumta mungesë reciprociteti nëse edhe grekët nuk kanë njohur të drejtën tonë për 12 milje ujëra territoriale. Por le të kthehemi në marrëveshjen e shkuar detare. Gjithë problematika e saj ishte vija ndarëse aty ku ujërat që ndajnë tokën shqiptare nga ajo greke është më pak se 24 milje. Në këtë rast bëhet fjalë për ngushticën e kanalit të Korfuzit. Gafa e palës shqiptare në këtë pikë qëndron në faktin se shfuqizoi ligjin e vitit 1976 që e njihte Gjirin e Sarandës si gji të brendshëm, dhe kështu vija bazë e territorit shqiptar nuk kalonte në segmentin që bashkon ekstremet e gjirit të Sarandës, por në vijën e bregdetin shqiptar. Problemi që vazhdon dhe mbetet, është se qeveria Rama ende nuk ka bërë një ligj që e ripërkufizon Gjirin e Sarandës si ujëra të brendshme. Dhe kjo shkakton probleme në negocimin e ardhshëm dhe ngre dyshime. A e ka njohur pala greke si ujëra të brendshme shqiptare këtë gji? Në të shkuarën vetëm për këtë pakujdesi ne humbitnim 34 km2”, shkruan Hila.

Ish-zv/ministri i Mbrojtjes shprehet se kjo marrëveshje Shqipëri-Greqi nuk do i shkojë për shtat Turqisë, e cila nuk u njeh fqinjëve më shumë se 6 milje hapësirë detare.

“Gjithsesi mbetet për t’u parë sesi do të sillet në të ardhmen pala shqiptare për ato pika ku dy brigjet respektive janë më pak se 24 milje nga njeri-tjetri. Deri tani me njohjen e të drejtës greke për ujëra territoriale deri në 12 milje, Shqipëria nuk ka bërë ndonjë hap që e kompromenton. Kjo njohje mund të ketë probleme si precedent në marrëdhëniet turko-greke, të cilat kanë probleme me vijën detare ku pala turke nuk i njeh më shumë se 6 milje fqinjëve të saj, dhe njohja shqiptare nuk besoj t’i ketë ardhur për mbarë”, deklaron Dritan Hila.

Kryeredaktori i ‘Gazetës Shqiptare’, Erl Murati e vendos theksin në këtë çështje te qëndrimet kontraditore të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati me ato të kryeministrit Edi Rama.

“Sot, është ende e paqartë nëse kemi apo jo një marrëveshje, pra nëse palët kanë rëndë dakord mbi një dokument, janë në fazë negociatash apo ende nuk i kanë nisur ato. Kryeministri Rama shkruajti: “hesapet e 70 viteve me fqinjin, dimë t’i mbyllim me mirëkuptim në interes të shqiptarëve”. Pra, kreu i qeverisë nënkuptoi se marrëveshja në mos është mbyllur, po mbyllet dhe pritet vetëm “të shkruhet e zeza mbi të bardhë”, siç tha ai. Por, ministria e Jashtme bëri një deklaratë të ndryshme. Ministri Bushati përmendi respektimin e Konventës për të Drejtën e Detit dhe tha shprehimisht: “ky qëndrim është pika e nisjes për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë çështje”. Ditmir Bushati foli në kohën e ardhme “do të negociojmë”, Edi Rama tha “dimë t’i mbyllim”, greku Kotzias e bëri punë të mbaruar. Cili i afrohet më shumë të vërtetës nga këto 3 qëndrime? Transparencë e qartësi nuk ka dhe shqiptarët për të mësuar të vërtetën janë të detyruar të ndjekin ERT-në greke, ndërkohë që duhet të kishte mjaftuar të ndiqnin ERTV-në shqiptare”, shkruan ndër të tjera Murati.

Alfred Lela: Rama firmos (mos)Marrëveshjen e detit. Kur nis lufta e Kolonelit Pashaj?

Nisin protestat kundër marrëveshjes së detit, qytetarët do mblidhen te Kryeministria

Të fundit