Flash News

OP-ED

Marrëveshja e Uashingtonit, improvizim me pasoja

Marrëveshja e Uashingtonit, improvizim me pasoja

Vladimir Gligorov

T'i marrim gjërat në aspektin pozitiv. Titulli i marrëveshjes është normalizimi ekonomik. Mes dy vendeve, sikurse tha, mendoj disa herë, vetë presidenti Tramp. Gjithsesi, përmbajtja do të ishte e ndryshme sikur të ishte fjala për marrëveshje direkte mes Serbisë dhe Kosovës sikur të mos ishte nevoja për ndërmjetës dhe garant, por kjo nuk ndodhi. Sepse të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe Serbia frikësohet se mos marrëveshjet direkte interpretohen si njohje e Kosovës si shtet. Ata të gjithë kanë interesat e tyre. Në marrëveshjen e Uashingtonit janë përfaqësuar edhe interesat amerikane sikurse i sheh administrata e sotme.

Kjo është mirë edhe keq. Mirë, sepse Amerika do të ketë interes që marrëveshja të zbatohet, keq sepse disa detyrime që kanë ndërmarrë të dyja palët bëjnë pjesë në fushën e vendimeve unilaterale ose marrëveshjeve bilaterale me palët e treta. Por meqenëse natyra e këtyre detyrimeve nuk ka për t’u zhdukur pas kësaj marrëveshje, sikurse po duket nga shembulli i raporteve me Izraelin, mbetet të shihet se çfarë do të realizohet nga kjo.

Por kryesorja është se SHBA-të jo vetëm mbështetën, por edhe nxitën procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshje detyruese mbi, pikërisht këtë normalizimin e marrdhënieve, politike e kam fjalën dhe jo vetëm ekonomike. Gjë që lehtëson detyrën e Bashkimit Europian. Është pozitiv edhe fakti se me këtë marrëveshje sanksionohet, natyrisht në mënyrë implicite, pacënueshmëria e kufijve të të dy vendeve. Kësisoj kjo e kthen procesin  në pikën nga ku është nisur para dy vitesh, kohë në të cilën zotërinjtë Thaçi dhe Vuçiç patën lajmëruar marrëveshjen për shkëmbime territoresh. Ka patur hamendësime se këtë gjë e mbështesin edhe SHBA-të, kësisoj nuk është gjë e keqe që kjo të mohohet. Përfundimisht, sugjerohet që deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve të pritet edhe një vit kur Kosova të bëhet antare me të drejta të plota të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo ndërkohë varet edhe nga të gjithë antarët e përhershëm të Këshilllit të Sigurimit, por kjo është temë tjetër.

A kanë interesa që Serbia dhe Kosova të bashkëpunojnë ekonomikisht? Për nga vetë natyra e gjërave interesi i Kosovës është më i madh sesa ai i Serbisë. Sepse është fjala për një ekonomi më të vogël dhe më të pazhvilluar e cila nuk ka dalje në det dhe ka një kufi të gjatë me Serbinë. Kësisoj zhvillimi i ekonomisë kosovare ka rëndësi të madhe për tregun serb. Interesi i Serbisë është ta mbështesë zhvillimin e Kosovës dhe kjo jo vetëm duke rritur eksportin, por për të forcuar të gjithë lidhjet mes dy vendeve. Nuk ka mundësi, po shprehem kështu, ta zotërosh një territor, por ama mund të ndikohet në atë mënyrë që nuk shkakton mosmarrëveshje dhe konflikte.

Marrëveshja e Uashingtonit nuk identifikon fushat e bashkëpunimit dhe projektet zhvillimore që nuk janë përfshirë, në një mënyrë apo në një tjetër, në iniciativat e Bashkimit Europian për forcimin e bashkëpunimit rajonal, nga projektet infrastrukturore e deri te tregtia e lirë rajonale (CEFTA). Deri tani suksesi nuk është i madh, por ndoshta kësaj here mund të jetë ndryshe, sigurisht nëse duan të dyja palët. Për hir të së vërtetës do të dalin probleme me financimin e ndërtimit të rrugëve dhe hekurudhës, si dhe gjithçkaje tjetër që shkel rregullat e BE-së dhe marrëveshjeve që Serbia dhe Kosova kanë me vetë BE-në. Nga ana tjetër këmbëngulet te konkurenca dhe jo të punët shtetërore në nenet mbi eksportin e energjentëve dhe për përdorimin e internetit dhe po e njëjta gjë do të kërkohet edhe në rastin e projekteve zhvillimore. Por këto nuk janë probleme të jashtëzakonshme dhe të panjohura. Krahas kësaj, këto projekte veçanërisht ambicioze, do të kërkojnë vite të tëra për t’u realizuar.

Marrëveshja forcon të drejtat dhe drejtësinë në pikat që kanë lidhje me fenë, mbi të drejtat e Kishës serbe, të drejtat e viktimave të Holokaustit dhe të drejtat e homoseksualëve. Disa prej tyre janë juridike ndërsa disa të tjera janë çështje politike, por gjithçka për të cilat palët kanë rënë dakord duhet të jetë në interesin e tyre. Sa do të realizohen mbetet ta shohim.

Pothuajse të gjithë komentatorët bien dakord me atë se përmbajtja e marrëveshjes është e harmonizuar me fushatën parazgjedhore të Trampit dhe se pikërisht kjo marrëveshja ka si synim të ftojë votuesit amerikanë, me prejardhje serbe, shqiptare dhe hebreje për të votuar për Trampin. Nuk është ndonjëfarë zbulimi fakti se politikanët, me vendimet e tyre, udhëhiqen edhe nga shanset zgjedhore. Megjithatë unë nuk jam në gjendje të konstatoj se cilat vota synon Trampi me këtë marrëveshje? Nëse do të kërkonin demokratët që të harmonizohen me Amerikën raportet me organizatën Hezbollah këtë nuk mund ta dimë, por e dimë se nuk do të kishin kërkuar nga Serbia për ta zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem, gjë që nuk do të thotë se Bajdeni, nëse fiton në zgjedhje ka për ta kthyer përsëri ambasadën amerikane në Tel Aviv. Por, nëse synimi është që me këtë marrëveshje të rritet numuri i hebrejve që votojnë për Trampin, kjo është shumë joreale. Ndërsa përsa i përket amerikanëve me prejardhje serbe dhe shqiptare, kjo marrëveshje, e cila gjithsesi është nën pritmëritë e tyre, nuk ka për ta ndryshuar vendimin se për cilin të votojnë.

Të gjithë këto hamendësime me thënë të drejtën nuk janë të domosdoshme. Interesat amerikane kur bie fjala për tregun e energjentëve, teknologjive dhe për parandalimine  terrorizmit janë të përhershme, për shkaqe ekonomike dhe akoma më shumë politike, dhe kjo nuk është ndonjë farë befasie që kanë gjetur vend në marrëveshje për arritjen e së cilës SHBA-të kanë ndërmjetësuar. Megjithatë mbetet kryesore që Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur procesin e normalizimit të marrdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me synimin që të arrihet marrëveshja juridike gjithëpërfshirëse. Gjë që është ajo ku janë orientuar përpjekjet e Bashkimit Europian. Në fazën e parë, më duket mua, sipas modelit të dy Gjermanive, dhe pastaj edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Kjo nuk është fusha ime, por me sa shoh unë, është e vështirë t’i kundërshtosh detyrimet juridike ndërkombëtare që ka marrë përsipër presidenti i shtetit, çfarëdo që të thotë kushtetuta e Serbisë. Gjithashtu, nuk është e pazakontë, sëpaku në Amerikë, që marrëveshjet të përmbajnë nene që në pamje të parë duken sikur nuk kanë lidhje me temën bazë të marrëveshjes, por që janë në interes, në këtë rast, të palës ndërmjetësuese. 

Në të vërtetë, mënyra sesi erdhi puna deri te marrëveshja edhe përmbajtja e saj, duket sikur janë improvizuar me shpejtësi, por kjo nuk e ndryshon detyrueshmërinë e tyre.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit