Flash News

KRYESORE

Marrëveshja mes 'Teatrorëve' dhe PD: pse u bë dhe kush fiton prej saj

Marrëveshja mes 'Teatrorëve' dhe PD: pse u bë dhe kush

Ardian Vehbiu

Këto ditë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) nënshkroi një marrëveshje me “opozitën e bashkuar”, të përfaqësuar nga kryetari i PD-së, Lulëzim Basha.

Tekstin e marrëveshjes – më të plotin që kam gjetur – mund ta lexoni këtu. Në këtë dokument, të cilën e kanë quajtur herë-herë edhe “kontratë” edhe “deklaratë”, me synimin “për ndërmarrjen e një zotimi të përbashkët publik”, dhe ku palët identifikohen si (1) “ne, qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” dhe (2) “Partia Demokratike e Shqipërisë”, AMT-ja shpreh vendosmërinë “për të vijuar pa ndërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor në të cilin funksionojnë dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental”, ndërsa PD-ja merr një varg zotimesh në lidhje me çfarë do të bëjë, “pasi të jetë shumicë politike qeverisëse”. Nga pikëpamja formale, teksti i marrëveshjes më duket problematik: ndryshe nga zotimet e PD-së, që janë specifike edhe pse të kushtëzuara fuqishëm, ato të AMT-së janë të përgjithshme dhe, në çdo rast, nuk kanë lidhje me PD-në si palë. Veç kësaj, AMT-ja e ka nënshkruar marrëveshjen si “ne qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”, çfarë më duket e pasaktë; jam i bindur se ka shumë qytetarë dhe artistë, të angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, të cilët kanë rezerva të mëdha, për këtë akt politik të AMT-së, në mos janë kundër saj. Partia Demokratike mund ta kish bërë publik këtë dokument dhe ta kish shprehur hapur solidaritetin e saj me përpjekjet e AMT-së për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar nga prishja, pa i dhënë dokumentit formën e një marrëveshjeje. Ndodhi kështu, besoj unë, ngaqë për këtë marrëveshje është PD-ja që ka nevojë të madhe, madje duke përfituar drejtpërdrejt prej saj. AMT-ja përfiton diçka nga pikëpamja organizative – p.sh. në qoftë se PD-ja sjell në protestë militantët e saj (muscle), të cilët do të angazhohen me kërkesë të partisë së tyre, por jo sepse u dhemb detyrimisht për Teatrin; por jo nga politikat dhe programet kulturore të PD-së, përgjithësisht të paspikatura, jo rrallë mediokre ose të fundosura në baltrat e nevojave politike të momentit. Përndryshe AMT-ja del e humbur nga kjo marrëveshje. Ndërtesën e Teatrit Kombëtar mund ta prishin në çdo moment; ndërsa PD-ja nuk mund ta pengojë këtë efektivisht, sa kohë që jo vetëm nuk ka pushtet as qendror as lokal, por edhe është larguar nga strukturat përfaqësuese, me vendimin e vet. Kur të vijë PD-ja në pushtet, kur të vijë PD-ja në pushtet (if), gjasat janë që çështja e Teatrit të ketë marrë ndërkohë zgjidhje. Përpjekjet shpesh heroike të qytetarëve të tubuar rreth AMT-së kanë ngjallur simpati të madhe në Tiranë dhe në Shqipëri – si një protestë jo-partiake, në mos jashtë-partiake, kundër arrogancës, bullizmit dhe arbitraritetit të qeverisë Rama dhe të kryebashkiakut Veliaj. Veprimtarët e AMT-së kanë arritur të artikulojnë, për publikun, jo vetëm që ndërtesa e Teatrit Kombëtar ka vlera historike, kulturore, identitare dhe qytetare prandaj duhet ruajtur dhe restauruar; por edhe që vendimi për prishjen e saj lidhet me një projekt të biznesit të ndërtimit, që synon të përfitojë nga trualli i klasit të parë në qendër të Tiranës. Shumë qytetarë që e kanë vështruar me skepticizëm në mos me neveri luftën për pushtet mes PS-së, PD-së dhe LSI-së, kanë parë tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit një model të revoltës dhe të protestës të frymëzuar nga qëllime fisnike, moralisht të larta dhe madje vetë-mohuese. Sa do të mund të vazhdojë kjo, tani që PD-ja e bëri të vetën protestën, nëpërmjet një marrëveshjeje formale, të nënshkruar nga protagonistët e betejave të deritashme për mbrojtjen e Teatrit? Bindja ime është se, duke e përvetësuar këtë protestë (highjacking), PD-ja thjesht bleu me çmim shumë të lirë një kauzë të madhe, për ta shtuar në arsenalin e saj të betejës kundër PS-së. Nuk e ushqeu këtë protestë që në origjinë, nuk tregoi ndonjë shqetësim të vijueshëm për fatet e Teatrit, nuk u mobilizua gjë më parë kundër politikave kulturore të qeverisë Rama; por i gjeti të gjitha këto të gatshme. Nuk e kultivoi virtytin e protestës, por veç sa e voli të pjekur nga pema. Dhe jo vetëm kaq. Si pjesë e arsenalit politik dhe propagandistik të PD-së, gjakimi i deritashëm i AMT-së rrezikon të instrumentalizohet, të armëzohet (weaponized) politikisht për t’u përdorur kundër pushtetit të Ramës (dhe të Veliajt), duke e humbur shkallë-shkallë përmbajtjen dhe peshën morale, kulturore dhe qytetare dhe duke u thjeshtëzuar në një formë tjetër të sloganit RAMA IK. Nuk i kam të qarta arsyet që i shtynë eksponentët e AMT-së për ta “fejuar” kauzën e tyre me PD-në; disa prej aktivistëve tek Teatri kanë qenë të integruar në strukturat e PD-së edhe më parë, të tjerë do ta kenë bërë nga dëshpërimi, ose si mënyrën e vetme për t’i dhënë pak “gjak” një çështjeje përndryshe të rrezikuar – duke sakrifikuar integritetin etik të lëvizjes së tyre në emër të ruajtjes së Teatrit. Nuk i kam të qarta arsyet dhe nuk dua t’i paragjykoj ata që nënshkruan, të rrethuar nga policia përjashta. Por më duhet ta vë në dukje se përfshirja tani edhe formale e PD-së në protestë rrezikon të ketë efekte toksike për kauzën vetë; sepse PD-ja është pjesë e po atij sistemi politik, që ka pjellë arbitraritetin, bullizmin dhe arrogancën e tanishme të qeverisë Rama, përkundrejt vlerave kulturore, historike dhe qytetare; por edhe përkundrejt shoqërisë civile. Kjo duket deri edhe nga zotimet që ka formalizuar PD-ja në marrëveshje, kur thotë se do të anulojë këtë ose atë, do të shfuqizojë këtë ose atë; por nuk thotë, ose të paktën nuk thekson se për çështje të tilla si Teatri Kombëtar dhe ndërhyrjet masive në identitetin historik dhe kulturor të Tiranës fjala e fundit u duhet lënë qytetarëve dhe shoqërisë civile – jo instancave ekzekutive. Kjo do të ketë, kam frikë, edhe një efekt tjetër të padëshiruar: shumë nga ata, që janë solidarizuar me përpjekjet, përkushtimin dhe profilin e lartë moral të Aleancës, tani do të stepen dhe do t’i qëndrojnë larg një lëvizjeje politike, sociale a kulturore që mban markën e PD-së: jo sepse PD-ja është forcë e së keqes, por sepse shumë nga këta njerëz janë bindur që partitë politike, si makina për marrjen dhe mbajtjen e pushteteve oligarkike, nuk mund t’i sjellin dot asgjë të mirë këtij vendi. Në kuptimin që, këta njerëz, do të fillojnë të mendojnë se lufta për të mbrojtur Teatrin nga prishja dhe qendrën e Tiranës nga abuzimi me ndërtimet do t’i shërbejë tash e tutje ardhjes së Lulëzim Bashës në pushtet; për të pyetur pastaj veten: a ia vlen? “Peizazhe të fjalës” është rreshtuar që herët në mbrojtje të Teatrit, të identitetit të qendrës së Tiranës dhe të qytetarëve, kundër abuzimit dhe arrogancës së pushtetit politik, të qeverisë Rama dhe të administratës bashkiake Veliaj. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar – Teatri Kombëtar nuk duhet të prishet dhe as të preket, dhe aq më pak të zëvendësohet nga ajo gjëja e përbindshme e Bjarke Ingels-it; por të restaurohet me themel, për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore dhe nevojave të artit të Teatrit dhe publikut të Teatrit. Është indiferente për ne, që këtë kauzë do ta mbrojë tani edhe PD-ja. Për çfarë na vjen keq, dhe që e gjykojmë si humbje të madhe, është që një protestë e rëndësishme e shoqërisë civile në Shqipëri, të cilën e patëm përshëndetur si shpresë dhe si model, nuk arriti të mbijetojë, pa i shtrirë dorën partitokracisë. (Titulli është i Politiko.al) © 2019, Peizazhe të fjalës™. 

Të fundit