Flash News

KRYESORE

Martesat nën moshë, vajzat shqiptare ende peng i të drejtës zakonore

Plot 3827 vajza adoleshente u martuan gjatë 2017-ës, përkundër vetëm 120 bashkëmoshatarëve të tyre djem. Si pasojë shumica lënë shkollën, bëhen nëna kur janë ende fëmijë për vete dhe mbeten të paarsimuara duke ngushtuar mundësitë që në të ardhmen të gjejnë një vend pune. Për ekspertët kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi qindra martesa të tjera, që ndodhin përpara fisit, nuk raportohen pa mbushur moshën ligjore.

Diana duhet të ishte në klasë të 8-të kur u fejua. “Me dashuri sigurisht, -rrëfen vetë Diana, sot 30 vjeçe dhe nënë e një vajze 12 vjeç dhe një djali 9 vjeç. – E pashë atë djalin, i dhashë pëlqimin familjes dhe që prej  asaj dite ai është bashkëshorti im “.

Familja e saj ishte zhvendosur prej 5 vitesh nga qyteti verior i Pukës dhe në fshatin Paskuqan të Tiranës.  Diana,  kishte hedhur shtat shumë shpejt dhe prindërit vendosën që ajo të mos shkonte më në shkollë nga frika se mos e ngacmonin djemtë. “Për fatin tim të keq isha më e gjata e klasës dhe kështu prindërit më hoqën nga shkolla. E kam ndjekur rregullisht deri në klasën e gjashtë, pastaj shkoja shumë rrallë, vetëm që të mos më përjashtonin dhe të merrja dëftesën e klasës së 8-të”.

Kur u fejua ishin të dy fëmijë.  Ajo 14 vjeçe, e ai 17 vjeç.  Ndërkohë që u bë nënë e një vajze në moshën 17-vjeçare.

Por Diana nuk është një rast i rrallë i martesave të vajzave të mitura në shoqërinë shqiptare. Dëshmitarë të qindra fejesave dhe martesave të tilla që ndodhin me bekimin e prindërve, të dhënat e raportuara nga INSTAT tregojnë përmasën e frikshme që mund të marrë ky fenomen.

Martesat nën moshë dhe pabarazia gjinore

Gjatë vitit 2017, INSTAT raporton se u lidhën me betimin për “dashuri të përjetshme” plot 3827 vajza nën moshën 19  vjeçare, përkundër vetëm 120 bashkëmoshatarë të tyre djem.

Por martesat e hershme nën moshë duket se janë një fenomen, që edhe kur realizohet ligjërisht, prek më së shumti vajzat, duke rritur hendekun e pabarazisë gjinore që krijon ky angazhim i tyre.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT,  në botimin “Burrat dhe Gratë në Shqipëri” (2017) janë 10 vajza të martuara nën moshën 18 vjeç për çdo 1000 martesa. Në total grupmosha “nën 19 vjeç” përbën 17.4 % të totalit të martesave. Situata është krejtësisht e kundërt për djemtë e të njëjtës grupmoshë. Në po të njëjtin raport INSTAT sqaron se “nuk ka martesa për djemtë para moshës 18 vjeç si dhe përqindja e djemve të martuar 18-19 vjeç është e papërfillshme”.

“Këto janë vetëm rastet që janë raportuar ligjërisht, por kini parasysh që bashkëjetesat nën moshë në formën e ‘martesave përmes dasmës’ mbeten në hije dhe ne nuk kemi mundur ende të bëjmë një vlerësim real të situatës”, – thotë Elma Tërshana, drejtore ekzekutive e Observatorit për të drejtat e fëmijëve.

Në qershor të 2018-ës, Observatori për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve publikoi raportin e dytë për martesat nën moshë në gjykatë. Raporti hedh dritë mbi shkaqet që gjykatat e Fierit, Kavajës, Shkodrës, Kukësit, Tropojës dhe Lezhës lejuan në 68 raste të zyrtarizohet martesa nën moshë për periudhën 2011-2017.

Të dhënat e dala nga ky raport nuk janë aspak optimiste.  Shqetësues është fakti se për gjykatat lidhja në martesë e një minoreneje është një çështje rutinë, mbyllet brenda një seance e as nuk bëhet një vlerësim psikologjik i të miturës. Raporti ka zbuluar se thuajse në të  gjitha rastet bëhet fjalë për martesë të vajzave, që i përkasin grupmoshës  17 – 18 vjeç, në 5 raste mosha e të miturës është nën 16 vjeç, ndërkohë që një rast në Kavajë martesa ka ndodhur në moshën 14 vjeç, ndërkohë që në një rast e mitura ka deklaruar se fëmija i parë ka lindur kur ishte 13 vjeçe.

Martesat nën moshë në fshatin pa gjimnaz

Lula Bregu është mësuese e Gjuhës në shkollën e mesme të bashkuar ( 9-vjeçare dhe të mesme) të fshatit Torovicë në Lezhë.  Deri një vit më parë pa shkollë të mesme, vajzat e këtij fshati kanë paguar kostot e një mentaliteti ndëshkues  duke u “‘ngujuar” në shtëpi dhe martuar pa mbushur të 18-at. “Për disa prej tyre ndjej shumë keqardhje, kanë qenë të shkëlqyera.  Ka nga ato që janë martuar dhe  shumë shpejt edhe janë ndarë”, – na tregon zysh Lula. “Nga 35 nxënës që mbaruan klasën e 9-të më 2017-ën, 15 prej tyre nuk e vazhduan gjimnazin. Shumica ishin vajza, që prindërit nuk i lejuan të vazhdojnë shkollën e mesme, ndërsa djemtë përgjithësisht ikin jashtë”, tregon Lula.

Lexo më shumë në:

https://citizens-channel.com/2019/02/06/martesat-nen-moshe-vajzat-shqiptare-ende-peng-i-te-drejtes-zakonore/?fbclid=IwAR21VcP92Wv1T671F8SVhlhcPVBDKCirRvPBB6yAP0dxKkHzh6oQMRDWWOE

Të fundit