Flash News

KRYESORE

Masat për koronavirusin/ PD akuzon: Situata e rëndë, mjekët nuk kanë maska, urgjenca pa ujë

Masat për koronavirusin/ PD akuzon:  Situata e rëndë, mjekët

Partia Demokratike akuzon se nuk janë marrë masat e nevojshme për përballimin e ndonjë situate të mundshme me koronavirusin.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe ish-nëndrejtori i departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi kanë vizituar ditën e sotme Qendrën Shëndetësore Kamëz dhe janë shprehur se pas bisedave me mjekët e qendrës shëndetësore u pa se nuk është marrë asnjë masë nga ana e qeverisë.

Vokshi nënvizon se Shqipëria është në një rrezik potencial për mbërritjen e koronavirusit, pasi shteti fqinj, me të cilin kemi shumë shkëmbime humane, tashmë është në gjendje alarmi, si dhe janë shpallur edhe rastet e para në vende të tjera të rajonit.

“Kemi zgjedhur, bashkë me doktor Koduzin, Qendrën Shëndetësore Kamëz, pasi është një nga qendrat që mbulon një rajon shumë të madh, me rreth 200 mijë banorë, është një qendër që funksionon 24 orë në ditë pasi ka edhe pjesën e urgjencës në të.

Pas shpalljes të grupit të punës nga ana e kryetarit, z. Basha, kanë ardhur me qindra telefonata, mesazhe tek anëtarët e grupit të punës, por edhe në Partinë Demokratike, si nga qytetarë, ashtu edhe nga mjekë dhe personeli i qendrave shëndetësore, mjekë të Urgjencës Kombëtare dhe të QSUT-së. Shqetësimi i tyre është se nuk është marrë asnjë masë nga qeveria për pajisje dhe me mjete elementare. Ne shkuam dhe biseduam edhe me disa mjekë të kësaj qendre shëndetësore, pamë vetë situatën. Nuk janë pajisur deri tani as me doreza, as me maska të standardeve të OBSH-së, as me dezinfektantë.

Praktikisht, mjekët dhe stafi shëndetësor i kësaj qendre shëndetësore, jo vetëm i kësaj qendre por i gjithë qendrave shëndetësore në Shqipëri, stafi mjekësor i gjithë spitaleve në Shqipëri dhe urgjencat, praktikisht, janë në mëshirë të fatit. Qeveria po bën propaganda. Mjeku është kontakti i parë me pacientin, është ai i cili mund ta marrë virusin i pari dhe mund të rrezikojë jo vetëm jetën e tij, por edhe jetën dhe shëndetin e familjarëve të tij dhe të pacientëve, sepse mund të jetë bartës.

Jo vetëm kaq, por një gjë shqetësuese është për të cilën ne u informuan që dje për shembull - kjo qendër shëndetësore nuk ka pasur 24 orë ujë. Mendoni pak një qendër shëndetësore të cilës qeveria nuk i siguron as ujin. I vetmi njoftim i qeverisë është: lani duart, lani duart, por në mungesë të ujit si mund të bëhen vizitat?! Si mund të mbahet higjena e një qendre shëndetësore?!”, akuzoi fuqishëm  Vokshi.

Ndërsa nga ana e tij ish-nëndrejtori i departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi, tha se “nga kontakti me kolegët vurmë re që nuk asnjë lloj mase mbrojtëse, as maskë, as dezinfektant, as doreza.  Ka dy arsye për këtë situatë.  1. E para, qeveria po merret me propagandë, nuk po merret me punë.  2. E dyta, është shkatërrimi i autonomisë në qendrat shëndetësore, heqja e mundësisë së menaxhimit financiar. 2-3 javë më parë kemi ngritur alarmin se operatori  shëndetësor, një atavizëm i sistemit shëndetësor, ka detyruar drejtorët e qendrave shëndetësore që të delegojnë blerjen e mallrave tek ky operator”,  tha ai.

 

Të fundit