Flash News

KRYESORE

Masat për koronavirusin, Spahia pas monitorimit në dy qendra spitalore: Qeveria po bën propagandë, mungojnë maskat e veshjet për mjekët

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia, monitoroi dy qendra shëndetësore në Tiranë, për të parë nga afër masat e marrë për të parandaluar apo përballuar emergjencën në rast të prekjes së vendit tonë nga koronavirusi.

Në një deklaratë për mediat, Spahia thotë se konstatoi në të dy qendrat e monitoruara se nuk është marrë asnjë masë mbrojtëse, ndërsa stafi shëndetësor, sipas tij, nuk është trajnuar apo informuar mbi koronavirusin dhe se deklaratat e qeverisë janë propagandë.

“Pas vizitës tonë në ambientet e brendshme dhe komunikimit me mjekët dhe personelin shëndetësor të kësaj qendre, konstatojmë se deklaratat e kryeministrit dhe të qeveritarëve, jo vetëm që nuk janë të vërteta, por ka mangësi të theksuara në pajisjen e këtyre qendrave me mjetet e duhura për të përballuar këtë situatë tepër shqetësuese. Nga konstatimet tona u vu re se ka mangësi të theksuara në pajisjen me maska mbrojtëse, për të mos folur për mos pasjen e veshjeve të duhura për përballimin e një rasti të dyshuar me koronavirus”, deklaroi Spahia.

Ish-deputeti shtoi se stafi mjekësor është i patrajnuar në rast se virusi shfaqet në vendin tonë, duke denoncuar se as ambientet e shërbimit shëndetësor nuk janë dezinfektuar.

“Ka mungesë të informacionit dhe trajnimeve, instruktimit të personelit shëndetësor për mënyrën e përballimit të dhe të veprimeve në rast konstatimi të një pacienti të prekur nga koronavirusi. Një tjetër aspekt shqetësues të cilin do të doja ta theksoja sot, ishte edhe mungesa jo vetëm e informacionit, por edhe e dezinfektimit dhe sanitarizimit të ambienteve të këtyre qendrave shëndetësore në të cilat kalon një fluks i madh qytetarësh shqiptarë”, tha Spahia.

Të fundit