Flash News

KRYESORE

"Mazhoranca nuk e njeh OSBE/ODIHR si palë të tretë", Alibeaj: PS ka braktisur Këshillin Politik

"Mazhoranca nuk e njeh OSBE/ODIHR si palë të tretë",

Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, ka folur për zhvillimet e fundit në Këshillin Politik, teksa është shprehur se opozita e bashkuar kërkon t’i drejtohemi OSBE/ODIHR për çështjet që nuk gjendet konsensus.

Teksa ka qenë i ftuar në emisionin "Opinion", Alibeaj ka theksuar se mazhoranca nuk e njeh palën e tretë, OSBE/ODIHR, që do duhet të jepte fjalën finale për çështjet pa konsensus.

"Në një pikë shumë të thjeshtë, që daton më 14 janar, kur u vendos krijimi i Këshillit Politik, në të cilin do të diskutohej gjithçka. Për shumë çështje s’kemi rënë dakord. Dhe në këto raste gjendet gjithmonë një palë e tretë, që përcakton kush është e drejta. Sot jemi në situatën kur vetë autoriteti i Këshillit Politik duket se nga PS nuk njihet më, për çështje të rëndësishme si ajo e koalicioneve, apo listave të hapura. PS nuk njeh më palën e tretë, që do duhet të jepte sentencën finale, që është OSBE/ODIHR.

Jemi tani në situatën ku në Këshill Politik na u kërkuar të sillnim një draft, që ne e sollëm, dhe tani nga pala tjetër nuk njihet më. Është një lloj braktisje, mosnjohje, e Këshillit Politik, e cila ka kosto të mëdha. Rama i ka mundësitë për t’i miratuar në Parlament ndryshimet, ama deklarimet e djeshme të përfaqësuesve më të lartë të Brukselit e bënë fare të qartë një gjë: Prishja e konsensusit në Këshillin Politik është e barabartë me ndërprerjen e rrugës për hapjen e negociatave. Kjo është një kosto shumë e madhe. Rruga e vetme është që me shpejtësi urgjente ai draft të marrë zgjidhje menjëherë nga OSBE/ODIHR. Ne do t’i qëndrojmë deri në fund, për t’ia bërë shërbimin paktit, qëndrimit të shqiptarëve, Evropës, e kujtdo tjetër. Shpresojmë që të mos arrijë në pikën që të largohet pala tjetër.

PS ka qeverisur katër vite me vota kundër, pasi në 2017 sipas formulës zgjedhore mandatet e fundit i merr partia që është më e madhe. Kodi Zgjedhor, që kemi dhe sot në fuqi, ka një element për ta balancuar: koalicionet me listë të përbashkët, siç i kemi pasur këtu e 20 vite më parë. Rama nuk do t’i lejojë opozitës së bashkuar, që me listat respektive të veçanta të tyre, të dalin me një program para shqiptarëve. Rama kërkon t’i përçajë e të marrë këto mandate që s’i takojnë”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, i pyetur nëse po ushtrojnë presion ndërkombëtarët, ish-deputeti u shpreh se ata kanë qenë të sinqertë dhe kanë bërë maksimumin, por zgjidhjen e japim ne.

"Besoj se janë goxha të fokusuar në vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi janë në prag të futjes me të dyja këmbët në Evropë. Ata janë fare të qartë, të sinqertë, nuk janë hipokritë në atë që thonë. Kjo sjellje e PS është një lloj largimi nga treni i fundit për në Evropë. Mendoj se ndërkombëtarët kanë qenë të sinqertë dhe kanë bërë maksimumin, por zgjidhjen e japim ne. Ne duhet t’iu tregojmë shqiptarëve kush është engjëlli dhe kush është djalli. Shqiptarët sot e kuptojnë qartë se cili është shkaku i halleve të tyre", deklaroi ai.

Të fundit