Flash News

KRYESORE

Mbërrin në SPAK kallëzimi i parë penal, kërkohet hetim për zyrtarë të lartë dhe ish -ministrin e PS

Mbërrin në SPAK kallëzimi i parë penal, kërkohet hetim

Ka mbërritur kallëzimi i parë penal në SPAK,  në Prokurorinë e Posaçme vetëm pak ditë pasi nisi zyrtarisht punën.

Është ‘Nisma Thurje’ ajo e cila dorëzon një kallëzim penal për zyrtarët e lartë, duke nisur nga ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, të përfshirë në procesin e dhënies me koncesion të shërbimit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

“Kemi dyshime se kemi të bëjmë me një kontratë korruptive. I mbetet tani prokurorisë ta zbardhë. Nga ajo që ne shohim kemi dyshime të logjikshme se ka elementë që nuk shkojnë në këtë kontratë”, tha mjeku Artan Koni.

Po ashtu, sipas përfaqësuesit të ‘Nisma Thurje’, Endrit Shabani ka hije dyshimi se me anë të këtij koncesioni është dëmtuar buxheti i shtetit.

“Ne i kërkuam SPAK që të nisë hetimet që nga ish ministri Beqaj dhe ish zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë aferë, kontratë koncesionare që në këndvështrimin tonë ka dyshime të arsyeshme se ka dëmtuar buxhetin e shtetit. Është një nga dhjetëra raste kur kuptohet se nuk jemi vend i varfër, por vend i vjedhur se në 30 vjet zyrtarët kanë abuzuar me pushtetin, janë pasuruar duke varfëruar shqiptarët, në 30 vjet janë dënuar vetëm qytetarët.

Besojmë se jemi para një epoke të re dhe do ti japë fund pandeshkueshmërisë. Kemi evidentuar disa fakte, si:

Pse është i nevojshëm ky koncesion, pse ministria ka gjykuar që ky shërbim duhej dhënë një koncesionari ndërkohë që spitalet mund ta bënin vetë sic kanë bërë edhe më parë.

E dyta pse një çmim kaq i lartë, që është disa herë më i lartë se tregu

e treta pse ky shërbim me koncesion dhe jo tender publik si me shërbimet tjera, pse u hartua një kontratë që e vendos shtetin në një pozicion të disavantazhuar. KLSH gjykon se në kontratë ka detyrime vetëm shteti shqiptar dhe jo pala tjetër”, tha Shabani.

Të fundit