Flash News

KRYESORE

“Mbështet shembjen e të vjetrit”, Bujar Asqeriu përgënjeshtron Ramën: Kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh

“Mbështet shembjen e të vjetrit”, Bujar Asqeriu

Kryeministri Edi Rama ka vijuar këto ditë me publikimin në Facebook të qëndrimeve të artistëve që janë pro shembjes të godinës së Teatrit Kombëtar.

Së fundmi, publikoi qëndrimin e aktorit Bujar Asqeriu, që sipas tij ishte zëdhënësi i fortë i protestës fillestare të artistëve.

Mirëpo, aktori ka reaguar pas këtij postimi dhe hedh poshtë pretendimin e Ramës. Sipas aktorit, në një prononcim për gazetën ‘Panorama’, qëndrimi i tij është marrë i pjesshëm dhe se thelbi i deklaratës së tij të plotë nuk ka për qëllim shembjen e teatrit.

“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm i imi, publik dhe kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e teatrit të merren arkitektët, Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët.

Këto qëndrime i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje në atë kohë kryeministri më anatemoi”, shprehet Asqeriu, i cili u bën thirrje aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë një betejë, duke e lënë larg politikën.

“U kam kërkuar të rrinë larg politikës. Disa nënshkruajnë kontratë me kreun e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të artistëve, e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin”, thotë aktori.

Postimi i Ramës

Aktori i famshëm, Bujar Asqeriu, i përket një brezi të ndërmjetëm, mes mjeshtrave që themeluan Teatrin Kombetar gjatë epokës komuniste dhe të rinjve, që erdhën në skenë kur regjimit komunist i erdhi fundi.

Ai krijoi një galeri të pasur rolesh, në ekran dhe në skenë, duke fituar zemrat e respektin e publikut. Në këtë çështjen, “prishet nuk prishet” rrënoja e teatrit, Bujari ishte zëdhënës i fuqishëm i protestës fillestare; kur i tërë komuniteti u mblodh bashkë, për të garantuar vijën e kuqe të mosprekjes së territorit të Teatrit Kombëtar për ndërtime të tjera.

Qyshse kjo çështje u sqarua qartë e prerë me qeverinë e me bashkinë, që s’kanë pasur kurrë ndërmend të përdorin truallin e teatrit për tjetër gjë, përveçse për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Bujar Asqeriu, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, mbështet pa rezervë shembjen e të vjetrit e ndërtimin e të riut.

BUJAR ASQERIU:

Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem sepse është sëmundje. Nga ajo godinë ku vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurur edhe unë. Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua!

“Nuk jam për protesta, dua të dëgjohen arkitektët”, Rama publikon mesazhin e Bujar Asqeriut për Teatrin Kombëtar

Të fundit