Flash News

KRYESORE

Mbeti jashtë Kuvendit, Majlinda Bregu promovohet si ministre në qeverinë e Edi Ramës

Lulzim Basha nuk preferoi ta kishte në grupin e tij parlamentar për katër vitet e ardhshme, kjo për disa arsye, megjithatë, kreu i PD-së mund të përballet sërish me ish-deputeten e tij, Majlinda Bregu, në sallën e Kuvendit.

Gazeta ‘Mapo’ ka publikuar sot një artikull ku Bregu promovohet si ministrja e Diasporës në qeverinë e dytë të Edi Ramës. Sipas kësaj gazete, emri i ish-ministres së Integrimit për postin e ri në qeverinë e Ramës është duke qarkulluar në ambientet politike në Tiranë.

Në artikull shkruhet se Rama ka vlerësuar punën e Bregut në krye të Komisionit të Integrimit dhe do ta zgjidhte atë ministre “për të treguar hapje ndaj opozitës”.

Pjesë nga shkrimi i ‘Mapos’:

Por Rama lajmëroi dje edhe krijimin e një ministrie të re, asaj të Diasporës, të cilës i kushtoi një pjesë të mirë të fjalimit para ambasadorëve. “Dua t’ju informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasjeje të re, qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”. Pikërisht për këtë post të ri dje në ambientet politike qarkullonin disa kandidatura dhe mes tyre edhe ish-ministrja e Integrimit dhe ish-deputetja e PD, Majlinda Bregu, e cila përveçse një njohëse e mirë e proceseve integruese, ka edhe njohje me vlerë në nivele të larta të KE dhe PE çka e dëshmoi edhe me negociatat e fundit për krizën politike për bojkotin e zgjedhjeve nga PD. Vlerësimi i Ramës për punën e Bregut vjen që gjatë mandatit të kaluar qeverisës, ku ish-ministrja e PD mbante postin e kryetares së Komisionit të Integrimit.

Në momente kyçe për fatin e hapjes së negociatave në mbledhjet e përbashkëta Shqipëri–BE, Bregu ka kërkuar gjithmonë hapjen sa më parë të këtyre negociatave. Burimet shtuan se kandidatura e Bregut është në diskutim dhe mund të realizohet me qëllim për të treguar hapje ndaj opozitës dhe pikërisht në një nga postet që ka të bëjë me raportet me jashtë. Para një viti mediat kanë shkruar se Bregu ka marrë një propozim për rolin e roli e kryenegociatores së Shqipërisë me BE pas hapjes së mundshme të negociatave. Por me shtyrjen e tyre edhe propozimi nuk pati rastin të vërtetohej.

Të fundit