Flash News

KRYESORE

Mbi 5500 euro për një pishë; kontrata miliona euro e bashkisë së Tiranës nën hetim nga Prokuroria

Mbi 5500 euro për një pishë; kontrata miliona euro e

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku paralajmëroi së fundmi planet e afërta të qeverisë “Rama” për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës; një projekt i debatueshëm ky që synon sipas saj zgjerimin e rrugës dhe vendosjen e një tarife për përdoruesit e saj.

Projekti i qeverisë për arterien kryesore të vendit është ende i paqartë, por ajo që dihet me siguri është fakti se zgjerimi i autostradës do të rrafshojë për herë të dytë brenda pesë vitesh pemët e kushtueshme në skarpatet e saj, për të cilat qytetarët e Tiranës e kanë paguar tashmë faturën e kripur prej 332 milionë lekësh [2.6 milionë euro].

Dy muaj më pas, përmes një drejtorie në varësi të saj, Bashkia e Tiranës paracaktoi si fitues kompaninë “Fusha” sh.p.k; ndërsa lidhi me të një kontratë me negocim dhe pa shpallje paraprake duke u bazuar te një përjashtim i ligjit për “Prokurimin Publik” që përdoret në raste të nevojës ekstreme apo për ngjarje të paparashikuara.

Kontrata me vlerë 332 milionë lekë për mbjelljen e pishave të buta nga mbikalimi i Kamzës deri në atë të Kasharit iu bashkangjit faturës prej 90 milionë lekësh që Ministria e Mjedisit shpenzoi në vitin 2014 për të gjelbëruar të njëjtin segment me drurë palme.

Kontrata e Bashkisë me kompaninë “Fusha” sh.p.k u denoncua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët e akuzuan kryebashkiakun Veliaj se po paguante 5 milionë lekë [të vjetra] për një pishë si dhe u kallëzua prej tyre në Prokurori.

Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se prej shtatorit 2018 kishte regjistruar një procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës dhe “shkeljes së barazisë së pjesmarrjes në tendera” mbi kontratën e lidhur me kompaninë “Fusha” sh.p.k.

“Çështja është ende në hetim dhe nuk ka persona të ndaluar apo të pezulluar nga detyra,” tha përmes një përgjigje të shkruar Prokuroria e Tiranës.

Mbi 5500 euro për një pishë 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 30 qershorit e ka kthyer mbjelljen e pemëve në një prej pikave të forta të qeverisjes së tij, ndërsa ka publikuar qindra foto me lopatë e kazëm në dorë në zona të ndryshme të Tiranës pranë fidanësh të njomë dhe gropash të hapura.

Por ndryshe nga publiciteti i kthyer në rutinë, mbjellja e pishave të buta në autostratën Tiranë-Durrës në fillim të vitit 2018 u kalua në heshtje prej tij.

Kontrata që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për “shkelje të barazisë në tendera” iu dha nga Drejtoria Numër 1 e Punëtorëve të Qytetit me negocim dhe pa garë në fillim të vitit 2018 kompanisë “Fusha” sh.p.k. Ajo kishte për objekt gjelbërimin e dy anëve të autostradës, në segmentin “Mbikalimi i Kamzës – Mbikalimi i Kasharit”.

“Fusha” sh.p.k. është ndër fituesit më të mëdhenj të kontratave me Bashkinë e Tiranës, përfshi ndërtimin e Sheshit Skënderbej, ndërsa emri i saj në mënyrë të paprecedentë u bë pjesë e një ligji special të miratuar në Kuvend për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, një projekt i kontestuar prej muajsh në protesta.

*Marrë me shkurtime nga Reporter.al

Të fundit