Flash News

KRYESORE

Mbledhja me Bashën/ Ekspertët mendojnë se shteti ka dështuar dhe ligji nuk respektohet

Ekspertët në fushën e ndërtimit arritën në përfundimin në takimin me kreun e PD-së Lulzim Basha se shteti ka dështuar, pasi ligji nuk respektohet.

Në diskutimin e nisur nga kryetari i opozitës morën pjesë personalitete të inxhinierisë, sizmiologjisë, gjeologjisë, pedagogë, ekspertë të emergjencave civile.

Inxhinierja Mimoza Hysaj nga Durrësi tha se në aspektin njerëzor, emergjencat nuk kanë funksionuar.

“Nuk kishte asnjë plan për raste të tilla, siç ka në çdo vend të botës. Qytetarët e Durrësit nuk dinin ku të trokisnin. Edhe sot vazhdon sorollatja e tyre. Akoma nuk gjejnë mundësitë të komunikojnë me autoritetet për të shprehur shqetësimin e tyre.”.

Lidhur me verifikimin e objekteve, inxhinierja bëri të ditur se në Durrës nuk ka akoma grupe verifikimi dhe ky është një problem, pasi ajo e sheh situatë të rrezikshme në shumë pallate që duken me fasadë të rregullt.

Ajo mendon se IKMT nuk ka funksionuar pasi nuk është vetëm për të prishur objektet.

“Në radhë të parë është për të parë zbatimin e këtyre objekteve që kanë marrë leje ndërtimi. Me të drejtë u tha këtu që në Kënetë nuk duhet ndërtuar, pasi njihen njollat gjeologjike. Pyetja është kush i ka dhënë këto leje ndërtimi? Pse janë dhënë? Pse disa ndërtojnë dhe nuk kontrollohen, ndërsa disa kontrollohen edhe për gjënë më të vogël? Ne vetëm flasim për standarde evropiane, por, de fakto nuk i kemi.”, u shpreh ajo.

Të fundit