Flash News

KRYESORE

Mbyllet gjimnazi i Shupenzës, rrëfehen nxënësit: Çfarë përjetuam të premten; na binte të fikët duke ecur

Nga Xhuliana Jakimi për Politiko.al

Sot, rrugët që të çonin për në Shupenzë në orën 8:00 të mëngjesit ishin disi bosh. Me çanta mbi shpinë, të vetmit udhëtarë ishin nxënësit e shkollës ‘9-vjeçare’ “Ibrahim Daçi”.

Duke ndjekur hapat e nxënësve arrita para gjimnazit "Rifat Manjani", i cili ndodhet pranë shkollës 9 vjeçare.

Drejtori i shkollës, Arjan Kaja, bashkë me përgjegjësin për ruajtjen e gjimnazit, ishin të vetmit që ndodheshin në oborr. Dyert për nxënësit e gjimnazit ishin të mbyllura. Drejtori u shpreh se ngjarja ishte tërësisht aksidentale, nga mosfunksionimi i oxhakut.

“Shkolla do jetë e mbyllur për tre ditë. Ekspertët punuan për rregullimin e defektit. Tashmë nuk ka asnjë problem, por për arsye sigurie shkolla do qëndrojë e mbyllur dhe për 3 ditë”, u shpreh Kaja.

Brenda shkollës, asgjë s’kishte lëvizur. Klasat ishin të kyçura me çelës. Librat mbi banka, dërrasa e shkruar, çantat mbi karrige. Dy nxënëse erdhën të marrin mjetet e tyre, por u ndaluan nga drejtori. “Mësimi fillon të enjten. Deri atëherë shkolla do jetë e mbyllur”,-i’u drejtua Kaja nxënësve.

Përjetimi  i nxënësve:

Vilsoni, nxënësi i klasës së XI-të rrëfen përjetimet  e asaj dite, ku iu desh të bëhej i fortë për miqtë e tij.

“Që në orën e dytë të mësimit unë nuk u ndjeva mirë. Kisha dhimbje koke dhe djegie të syve, ndaj dola nga mësimi. Pastaj pashë që dhe të tjerë bashkëmoshatarë të mi kishin probleme. Disa prej tyre i'u drejtuan spitaleve. Pastaj situata u rëndua. Po shoqëroja një shoqen time për në shtëpi dhe asaj i ra të fikët në mes të rrugës. E mora në krah, e dërgova drejt spitalit. Nxënësve u binte të fikët në rrugë. Ishte e tmerrshme”, kështu u shpreh Vilsoni, i cili pas ndihmës ndaj shokëve, në orët e vona të natës i’u drejtua spitalit.

“Gjatë ditës kisha dhimbje koke, por s’e ndjeva shumë. Në darkë kisha probleme me frymëmarrjen, djegie sysh, ndaj përfundova në spital”, shtoi më tej ai.

Jonida është një tjetër gjimaziste në klasën e XI-të. Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin e Maqëllarës. Pastaj drejt qendrës spitalore të Peshkopisë, ku ndenji gjatë natës. E motra e saj, shprehet se Jonida ka pësuar disa herë humbje ndjenjash. “Edhe ditën e djeshme i ra të fikët. Është mirë, pastaj humb ndjenjat”, u shpreh e motra.

Reagimi i infermierëve:

Sipas verifikimeve të kryera, në qendrën shëndetësore të Shupenzës, u është dhënë ndihmë mjekësore rreth 100 nxënësve dhe 6 mësuesve, por për shkak të fluksit të nxënësve të sëmurë, dhjetra prej tyre nuk janë regjistruar.

“Nxënësit dridheshin, disa kishin dhimbje koke, disa humbnin ndjenjat, të tjerë kishin marrje mendësh e të vjella. Serumet i kemi bërë dhe në korridore”, u shpreh një infermiere për Politiko.al. “Dhjetra nxënës i janë drejtuar spitalit në orët e pasdites, pasi kishin ikur në shtëpi”, shtoi më tej ajo.

Çfarë thonë mësuesit:

Dëshmitarë e përjetues të situatës së rëndë ishin dhe mësuesit. “S’po kuptonim çfarë po ndodhte. Ishim shumë të frikësuar. Prindërit kërkonin fëmijët e tyre. Kishte raste që s’dinim në cilin spital po dërgoheshin nxënësit. Ambulancat vinin shumë shpejtë dhe nxënësit veçse në Shupenzë, dërgoheshin në Maqëllarë, Bulqizë e Peshkopi. U mobilizua i gjithë sistemi shëndetësor. Është me të vërtetë për t’u vlerësuar puna e bluzave të bardha”, u shpreh mësuese Elida.

Ajo shprehet se në një moment të tillë të gjithë gjetën forcë për të punuar dhe që fatmirësisht nuk pati viktima./Politiko.al/

 

Të fundit