Flash News

KRYESORE

Mbyllet votimi në Mal të Zi, fillon numërimi i votave; shqiptarët synojnë dy deputetë

Mbyllet votimi në Mal të Zi, fillon numërimi i votave;

Është mbyllur zyrtarisht rreth orës 20:00 votimi për zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi, si dhe për zgjedhjet lokale në pesë komuna të këtij shteti.  Sipas të dhënave nga Qendra për Monitorim dhe Kërkime, deri në orën 19:00 kanë votuar 74.9 për qind e votuesve. Ndërkaq, tashmë vijon numërimi i votave.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një prononcim pas përmbylljes së votimeve është shprehur se nuk ka rrezik për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, duke shtuar se tensionet  vijnë nga jashtë Malit të Zi.

 “Shoqëria malazeze ka kaluar nëpër tundime të tilla disa herë, andaj nuk shoh ndonjë rrezik për stabilitetin e Malit të Zi dhe për sigurinë e qytetarëve”, tha Gjukanoviq.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit. Për 81 ulëset parlamentare garojnë gjashtë koalicione dhe pesë parti. Në këto zgjedhje Lista shqiptare pret që të marrë të paktën 2 deputetë në parlamentin e Malit të Zi.

Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

Të drejtë vote kanë 540 mijë e 26 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 1 mijë e 217 vendvotime.

Zgjedhjet e sotme janë vëzhguar nga 2 mijë e 89 vëzhgues, nga të cilët 265 ishin ndërkombëtarë.

Në Mal të Zi prezent gjatë zgjedhjeve të sotme ka qenë edhe Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor.

Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, në një deklaratë referuar zhvillimeve politike në vendin fqinj, tha se “zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.”

Aktualisht ka dy skenare, ku njëri mund të nxjerrë me fitore të brendshme partinë e Presidentit Gjikanoviç, nisur nga pjesëmarrja e lartë, dhe skenari tjetër është që këto vota të shkojnë për partinë opozitare pro serbe, e cila ka rreth një vit që proteston e ndihmuar nga Kisha Ortodokse në Mal të Zi, për shkak të ligjit të fesë.

Ndaj dhe një rritje e opozitës malazeze nuk është surprizë. Nisur nga numri i votave, dy koalicionet shqiptare mund t’i marrin dy deputetë, edhe pse kjo nuk është e sigurt, për shkak të pjesëmarrjes së lartë. Rezultatet paraprake priten për rreth 90 minuta.

Të fundit