Flash News

KRYESORE

Mbyllja e ‘Plus’, arsyet që e çuan kompaninë drejt falimentimit

Mbyllja e ‘Plus’, arsyet që e çuan kompaninë drejt

Kur filluan aktivitetin, në qershor të vitit 2009, drejtuesit shqiptarë të Plus Communication e dinin që nuk do ta kishin të lehtë. Konkurrenca në tregun e telefonisë celulare ishte ashpërsuar pas hyrjes së operatorit të tretë, Eagle Mobile (sot Albtelecom) në 2008-n, duke lënë pak hapësirë për të katërtin. Kriza, nga ana e saj, po bënte të vetën, duke reduktuar fuqinë blerëse të konsumatorëve.

Por, tregu ishte sërish i uritur për një operator të ri, për shkak të tarifave të larta (ndër më të shtrenjtat në Europë) që vijonin të paguanin konsumatorët dhe fitimeve të mëdha të dy operatorëve kryesorë të tregut, Vodafone dhe Telecom Albania (ish AMC).

Që në fillimet e aktivitetit, Plus u përball me muret që krijuan operatorët e mëdhenj, që nisën të ofronin tarifa shumë të lira brenda rrjetit, duke “larguar” klientët nga të vegjlit. Burokracitë në marrjen e licencës 3G iu shtuan vonesave në ndërhyrjet e autoriteteve rregullatore për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga pozita dominuese në treg e aktorëve të mëdhenj.

Një nga problemet për të cilat Plus është ankuar që prej vitit 2013 lidhet me ekzistencën e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, e cila për rrjedhojë sillte diferenca të mëdha çmimesh në komunikimin drejt rrjeteve të tjera, duke krijuar mure mbyllëse për abonentët. Përmes mosndërhyrjes, autoritetet jo vetëm që kanë dëmtuar financiarisht Plus-in, por në këtë mënyrë kanë ndikuar direkt edhe në zbrazjen e xhepave të konsumatorëve shqiptarë, duke u ngarkuar atyre tarifa më të larta për nevojat e tyre për komunikim.

Plus ishte i vetmi operator i katërt në Europë, që nuk iu dha “roaming kombëtar”, në periudhën në të cilën parashikohej ndërtimi i rrjetit të transmetimit, duke e diskriminuar kështu në një treg tashmë të saturuar në aspektin e penetrimit.

Plus nuk gjeti as mbështetjen e politikës, teksa në mënyrën si funksionojnë institucionet shqiptare është politika ajo që ndikon në vendimmarrje. Ishte e dukshme mungesa e vullnetit të politikës për të mbështetur suksesin e një kompanie me format të tillë pronësie, që do të përbënte risi për kapitalizmin shqiptar.

Përballë mungesës së mbështetjes, konkurrencës së fortë dhe problemeve ekonomike, aksionerët morën në verë të këtij viti vendimin për të mbyllur aktivitetin. Në shpjegimin që Plus ka dhënë për Autoritetin e Konkurrencës thuhet: “Për shkak të vështirësive financiare, ndërmarrja nuk mund të vijojë më tej me investime për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe konkurruese ndaj konsumatorëve dhe duke pasur parasysh kërkesat e AKEP ndaj operatorëve të tjerë për të siguruar vijimin e ofrimit të shërbimeve të kontraktuara, kërkon të transferojë frekuencat në përdorim të saj tek operatorët e tjerë celularë sipas Marrëveshjeve me këta operatorë”, thuhet në shpjegimin e Plus për Konkurrencën.

“Gjatë gjithë viteve të operimit në treg, që nga viti 2010, shoqëria ka rezultuar me humbje të konsiderueshme…. Humbja e akumuluar në vite kap shifra të konsiderueshme rreth 6.1 mln lekë dhe për këtë arsye aksionerët e shoqërisë kanë ndërmarrë dy herë masa ristrukturimi të kapitalit për të mbuluar humbjet.”

Konkurrenca e pranon se reduktimi i numrit të operatorëve mund të sjellë rritje të çmimeve, por tregu mund të mbahet gjithë kohën në monitorim. (Marrë me shkurtime nga Monitor)

Të fundit