Flash News

KRYESORE

Më 6 tetor takimi i dytë me ministrat, Neranxi: Plane tinzare po përgatiten për Himarën. Ejani, vendoset fati juaj!

Më 6 tetor takimi i dytë me ministrat, Neranxi: Plane tinzare po

Më 6 tetor, në qytetin e Himarës është programuar një takim mes ministrave Damian Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro me banorët e kësaj zone për investimet që do të bëhen në gjithë bregdetin e Himarës.

Një nga kundërshtarët më të ashpër të këtij projekti është Nikollaq Neranxi, i cili këtë herë ka bërë thirrje përmes facebook, të gjithë himariotëve të marrin pjesë në këtë takim. Neranxi thotë se duhet të marrin pjesë në këtë takim për të vërtetuar se ata nuk janë pak dhe për të hedhur poshtë kështu pretendimet e qeverisë dhe institucioneve lokale. Më poshtë reagimi i plotë i Nikollaq Neranxit:

“Thirrje himariotëve! Duhet të vini të gjithë pasnesër në takim me ministrat, sepse vendoset fati juaj!

Të dashur himariotë! Pasnesër, 6 tetor, në orën 11 paradite, tek fusha e sportit në Himarë, do të zhvillohet takimi i banorëve me dy ministrat Gjiknuri dhe Kumbaro. Sipas informacioneve të mia, ata nuk do lejojnë në takim shumë banorë. Por kjo nuk pengon askënd që të vijë aty. Madje unë mendoj se duhet të vini patjetër! Lini çdo punë, edhe nëse jetoni jashtë dhe hajdeni në Himarë! Nuk ka asgjë më të rëndësishme në këto momente se sa të jeni prezent dhe të vendosni ju për fatin e vendit tuaj. Ju e dini mirë se çfarë planesh tinzare po përgatiten për Himaren! Grabitje në emër të gjoja investimeve!!! Por nuk duhet të harroni, ata që vjedhin, dinë edhe të fshehin. Nëse në takim ne do jemi pak, pushtetarët nesër do të thonë që vetëm 10 veta ishin kundër, sepse projekti u pranua masivisht. Prandaj duhet të vini! Jashtë do ketë media dhe ju do keni mundësi të shprehni çfarë mendoni. Dhe ajo që mendojmë ne dihet, regjistrim i tokave dhe banesave një për një, në degën e Hipotekës në Himarë që premtoi të hapë Gjiknuri. Pajisje me çertifikatë pronësie edhe atyre që nuk e kanë, sepse dihet që secili prej nesh jeton në pronën e tij shekullore. Pasi të mbarohet kjo proçedurë, mund të flasim për investimet në zonën tonë. Hajdeni që të mos pendoheni nesër për indiferentizmin tuaj! Atë vend na e kanë lënë amanet të parët tanë dhe ne e kemi për detyrë t’ja trashëgojmë brezave që do vijnë!

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shtëpive, Pronave, Historisë dhe Kulturës Himarë.

Të fundit