Flash News

KRYESORE

Me gjuhën e kryediplomatit, Ditmir Bushati rrëzoi sot 4 teza të kryeministrit Rama

Me gjuhën e kryediplomatit, Ditmir Bushati rrëzoi sot 4 teza të

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka publikuar sot një opinion në gazetën ‘Panorama’, ku bën thirrje për arritjen e një kompromisi politik, në mënyrë që një tjetër brez i shqiptarëve të mos humbasë përfitimet e Shqipërisë evropiane.

Duke përdorur një gjuhë si të ishte ende në krye të diplomacisë, Ditmir Bushati përqëndrohet gjatë gjithë shkrimit në nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën, ndryshe nga shumë kolegë të tjerë të PS që në studiot televizive përpiqen të krijojnë imazhin e një atmosfere normale në vend.

Ai rrëzon edhe katër teza të kryeministrit Edi Rama, që ky i fundit i ka mbrojtur sa herë është gjendur në krizë me opozitën dhe me Brukselin.

Mesazhet e Bushatit kundër qëndrimeve të Ramës janë të qarta, të cilat edhe nëse nuk janë të qëllimshme, gjithsesi, e vendosin deputetin socialist përballë dhe jo në krah të kryetarit.

Nuk ka problem, do ecim përpara

Edi Rama: Kjo nuk është demokraci, është tirani e minorancës. Ne kemi marrë një detyrë nga populli dhe do ta respektojmë. Për demokracinë parlamentare sigurisht që nuk është e mirë por teknikisht ne mund të ecim përpara, nuk ka problem.

Ditmir Bushati: Por kësaj radhe ne përballemi me një situatë të paprecedentë, pasi djegia e mandateve është një rrugë pa kthim, çka e bën rrjedhimisht më të vështirë parashikimin për daljen nga rrethrrotullimi.

E megjithatë, nuk do shumë mend për të kuptuar që takimi i pritshëm në qershor i Bashkimit Europian, ku do të shqyrtohet edhe mundësia e fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, do të ndikohet nga kjo situatë.

Shqipëria ka nevojë për Evropën, Evropa ka nevojë për Shqipërinë

Edi Rama: Sot, Europa ka nevojë për shqiptarët njësoj siç kanë nevojë shqiptarët për Europën. Nëse Europa e shikon Ballkanin dhe shikon zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj, nëse Europa nuk arrin të kuptojë qe proceset që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon, duhet t’i bashkëngjisë vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin.

Ditmir Bushati: Nuk e di pse është kaq e vështirë për të kuptuar se rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e qartë e perspektivës europiane, është më i madh për ne sesa për BE-në. E them këtë, pasi BE-ja ka jetuar për një kohë të gjatë pa Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të jetojë fare mirë edhe dekada të tjera pa ne.

Shqipëria dhe Kosova do të shohin mundësinë e bashkimit

Edi Rama: Askush nuk dëshiron aleanca të vogla, të gjithë duan në bashkimin e madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka të ardhme, nuk ka vend, pastaj, sigurisht, mund të ndodhin bashkimet e vogla

Ditmir Bushati: Dikujt mund t’i duket i ekzagjeruar ky konstatim, por përveç integrimit europian nuk shoh asnjë mundësi tjetër që Shqipëria të zhvillohet e demokratizohet më tej. Është një rrugë e vështirë, që kërkon reforma shtetkonsoliduese dhe mirëkuptim politik.

Nuk lëshoj pe

Edi Rama: Kam marrë shumë mesazhe nga ju që më thonë mos lësho pe. Unë nuk kam asnjë pe për të lëshuar, kam një detyrë për të kryer që na e jep kontrata që na e dha shumica. Të qeverisim deri kur të mbarojë mandati ynë dhe deri kur të kemi votat në parlament. Nuk jemi si ata, do ta kryejmë deri në fund.

Ditmir Bushati: Nëse nuk jemi në gjendje të krijojmë një perspektive të prekshme europiane e të gjenerojmë kapacitet për ndryshim duke dalë nga rrethrrotullimi, askush nga institucionet europiane nuk do ta bëjë një gjë të tillë për ne. E as nuk do të impresionohet nëse ne do t’u bishtnojmë përgjegjësive tona, duke mbetur peng të instinkteve të vjetra. Duke humbur kësisoj sërish mundësinë e një brezi, i cili nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të na ndëshkojë.

Të fundit