Flash News

KRYESORE

“Më jep 90 mijë euro”, vrasësi i Mirit të Xhikes kërcënon administratorin e firmës private

“Më jep 90 mijë euro”, vrasësi i Mirit të Xhikes

Lavdërim Tufa është arrestuar sot nga policia pasi akuzohet se ka kërcënuar dhe ka gjobitur administratorin e një firme private. I njohur si vrasësi i Mirit të Xhikes (i forti i Rrugës së Elbasanit), Tufa ishte liruar me kusht nga gjykata, ndonëse për ngjarjen e ndodhur në vitin 2003 ishte dënuar me 20 vite burg.

Policia njofton se Lavdërim Tufa i ka kërkuar administratorit një shumë prej 90 mijë eurosh me pretendimin se firma kishte detyrime ndaj shtetasit italian me iniciale P.E., 50 vjeç.

Autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë një shtetas që kishte dijeni për kërcënimin, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin italian dhe një banor të Durrësit.

Njoftimi i policisë:

Shtrëngon me anë të kanosjes një shtetas për dhënie pasurie.

Policia arreston autorin, procedon një shtetas në gjendje të lirë për “Moskallëzim Krimi” si dhe shpall në kërkim dy të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P. Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

- L. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja”.

Ky shtetas, i ka kërkuar shumën prej 90 000 euro duke e kanosur administratorit të një firme private, me pretendimin se ky i fundit kishte detyrime ndaj shtetasit italian P. E., 50 vjeç.

Gjithashtu procedua në gjendje të lirë për “Moskallëzim Krimi”, shtetasi:

- F. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka patur dijeni për rastin dhe nuk ka kallëzuar pranë shërbimeve të Policisë.

Në lidhje me rastin u shpallën në kërkim dhe 2 shtetas të tjerë dhe po punohet për kapjen e tyre:

- P. E., 50 vjeç, banues në Itali

- A. G., 49 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. T., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një antiplumb.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Moskallëzim krimi” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, parashikuar nga nenet 109/b, 300 dhe 247 të Kodit Penal.

Të fundit