Flash News

KRYESORE

"Më morën me shkelma, më lidhën dhe më kërkuan paratë", e moshuara në Pukë tregon momentet e terrorit gjatë grabitjes: Kam frikë të jetoj këtu

Zbulohen detaje të reja nga grabitja e 70-vjeçares në Kashigji të Pukës. E moshuara jetonte e vetme në shtëpi, pasi bashkëshorti i kishte vdekur dhe nuk ka fëmijë. Në një intervistë për News 24, Mrik Ndoja rrëfen momentet e saj të terrorit dhe dhunimin që i është bërë nga autorët e maskuar.

Ajo shprehet se autorët e rrahën, e morën me shkelma, e lidhën dhe më pas i kërkuan paratë. Ajo u tregoi vendin ku i kishte vendosur lekët e pensionit që kishte marrë për 3 muaj, dhe ata i morën dhe u larguan.

Mësohet se nga goditjet, e moshuara ka pësuar dëmtime të shumta, një frakturë në këmbë, pasi autorët e maskuar e goditën atë në krahun e majtë, ka fraktura në brinjë dhe kokë.

E pyetur se si arriti të lirohej pasi autorët e lanë të lidhur, 70-vjeçarja Mrikë Ndoja shprehet se përdori dhëmbët për t’u zgjidhur dhe menjëherë pas kësaj ka njoftuar komshinjtë. Sipas Ndojës, kanë qenë komshinjtë ata të cilët e ndihmuan duke njoftuar edhe ambulancën.

E tmerruar pas gjithçkaje që kaloi, e moshuara shprehet se ka frikë të jetojë më në fshatin ku u martua dhe jetoi për 50 vite, në Kishagji, 20 kilometra larg Pukës.

”Më hodhën përtokë. Më thanë ku ke paratë. Po për zotin më rrahën. Në krah kam dëmtime. Më morën me shkelma. Nuk e di sa ishte ora. Zoti më ka zgjidhur. Nuk e di, me dhëmbë jam zgjidhur. Jo, jo nuk ka ndodhur. Në fshat ka ndodhur gjithmonë. Nuk i njoh autorët. Çfarë të them? Thirrja ime është që të gjejnë autorët. S’kam bërë keq, s’kam dhunuar kënd. S’kam burrë e fëmijë. Kam frikë të jetoj këtu”, tha Ndoja.

Të fundit