Flash News

KRYESORE

"Më sulmuan befasisht në korridor", përplasje fizike mes deputetëve të LVV dhe LDK në Kosovë

"Më sulmuan befasisht në korridor", përplasje fizike

Deputeti i Lëviszjes Vetvendosje, Gazmend Gjyshinca, ka deklaruar se pas përfundimit të mbledhjes së komisionit në Kuvendin e Kosovës, është sulmuar fizikisht nga deputetët e LDK-së.

“Fillimisht kanë nisur sulmet verbale nga kryetarja e komisionit edhe pastaj nga deputetët e LDK-së. Me të përfunduar mbledhja e komisionit, mbeta pak më vonë për të dalë nga salla ku u mbajt mbledhja. Në momentin kur kam dalë në korridor jam sulmuar në befasi nga deputetët Kujtim Shala e Arben Gashi”, shprehet Gjyshinca në një konferencë për mediat, teksa thekson se kjo mund të provohet nga pamjet filmike.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe deputetja Fitore Pacolli, e cila shprehet se është e padrejtë mënyra se si Gjyshnica është sulmuar.

“Është e padrejtë, mënyra sesi na kanë sulmuar. Kjo nuk na zmbrapsë neve. Do të vazhdojmë punën tonë si deputet”, tha Pacolli.

Më tej Gjyshinca tha se ka hapur rastin në polici dhe se për këtë incident është njoftuar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, deputeti Shala ka mohuar këtë deklarata, pasi është shprehur për Telegrafin se mbledhja e komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë është shoqëruar me tensione, por nuk ka pasur përplasje fizike.

“Nuk është e vërtetë se ka pasur përplasje fizike, nuk ka ndodhur sulm. Ka pasur mbledhje të tensionuar që është prishur nga anëtarët e LVV-së”, ka thënë ai.

Shala gjithashtu tha se ambientet e Kuvendit të Kosovës janë nën monitorimin e kamerave prandaj çdo gjë mund të bëhet publike.

Të fundit