Flash News

KRYESORE

Më thuaj cilat janë ngjarjet e vitit dhe të them se kush je. Pesë analistë komentojnë ‘stuhitë’ e 2018

Më thuaj cilat janë ngjarjet e vitit dhe të them se kush je.

Politiko.al ka këkruar mendimin e pesë veprimtarëve të sferës publike për dy ngjarjet kyce që shenjuan vitin 2018. Selami Xhepa, ekonomist liberal (Hayekian), Sokol Balla, gazetar radikal, Arian Vasjari, jurist kontroversial, Skënder Minxhozi, analist i përmbajtur, por aspak neutral, dhe Fitim Zekthi, ideolog i konservatorizmit të druajtur shqiptar, ofrojnë prizme të ndryshme të ngjarjeve, por të gjithë bien dakord te studentët dhe se si protetsta e tyre e zhvendosi shoqërinë. Sipas Vasjarit ajo ‘krijoi kohë’.

Ngjarja e 2018, një qeveri besnikësh, spastruesish, kosovarësh…

Sokol Balla

Viti 2018 nisi me luftë dhe mbaroi me proteste. Qeveria ia arriti, me ose pa dashje, të tërhiqte dhe bashkonte gjithë vëmendjen dhe kritikat, si përgjegjësja kryesore, nga moti i keq te keqqeverisja. Besoj ishte efekti kryesor i qeverisjes vetëm, një fenomen i përsëritur vetëm dy herë në 28 vjet.

Qeverisja me popullin, sic kërkon Rama, mund të zgjidhe hallet e individëve, por jo të shuajë cinizmin kolektiv të turmave që, zakonisht protestojnë jo rrallë vetëm për të tjerët. Ndaj dhe viti u mbyll me protesta. Te cilat as u mor vesh nga erdhën dhe as u mor vesh ku ikën.

Viti 2018 na gjeti me prokurore të re, ndërsa 2019 me një qeveri të re, teknikësh, besnikësh, spastruesish dhe kosovarësh. Për herë të parë, që nga koha e Enver Hoxhës, posti i Kryeministrit do të mbulojë edhe atë të ministrit të Jashtem, dhe për herë të parë nga parlamenti i 1996, gjysma e kabinetit do jetë me gra. Ky House of Cards, edicioni i gjashtë, nuk ndryshon Kryeministrin.

Mesa duket nuk ka akoma më të mirë se ai. E di qe Mond Spaho do merzitet nga këto fjalë, por duhet të gjejë edhe ai një ngushellim te Rama: që ndryshe nga Basha, ashtu si Mondi, i pëlqejnë shumë pikturat :)

2018 nuk prodhoi ngjarje, por dy kohë

Arjan Vasjari

Guxoj të mendoj se 2018, më shumë sesa ngjarje, ka prodhuar kohë. Janë veçanërisht dy kohë pas të cilave demokracia jonë nuk do jetë njësoj. Nuk jam në gjendje të them sot me bindje nëse do jetë më e mirë, por jam i sigurt që do jetë e ndryshme.

21 marsi 2018, seanca e parë e vetingut, shënon fillimin e një kohe të re morale dhe ligjore brenda sistemit të drejtësisë. Reforma tejkalon fazën a’ la carte dhe fillon konkretisht procesin pa kthim të riformatimit të trupës së gjyqtarëve e prokurorëve. Brenda imperfeksioneve fiziologjike të një procesi kaq kompleks, në fund të kohës që nisi më 21 mars 2018, gjithçka do jetë tjetër gjë: gjykatësit, prokurorët, politika, e bashkë me ta edhe perceptimet tona mbi rregullin dhe ligjin.

Koha e dytë, në fakt, është një kohë e dyfishtë. Përtej lojës së fjalëve,datat 4 dhjetor dhe 28 dhjetor janë e njëjta kohë. Dita e fillimit të protestës së studentëve dhe dita e rikrijimit të qeverisë (për mua jemi nën një qeveri quasi të re), janë në një raport të pastër shkak-pasojë. Pa të parën nuk do të kishim të dytën. Nuk më rezulton që në këto 26 vjet liri, sheshi të ketë prodhuar kaq pasojë brenda një qeverie. Por, më shumë se pasoja, sheshi i studentëve përfaqëson hapsirën bosh që ka lënë tashmë politika. E gërryer nga korrupsioni dhe mosbesimi, ajo ka vetëm dy alternativa: ose të shfrytëzojë ato pak kapacitete që i kanë ngelur për t’u rigjeneruar, ose të ikë. Protesta e studentëve dha shenjën se nëse nuk reagon urgjentisht, kjo klasë mund të jetë në fund të kohës së saj. Duke lënë pas dëshpërimin social, por edhe pyetjen e frikshme: ëho’s next? 

Armata e studentëve dhe ushtria e Kosovës

Fitim Zekthi

Protesta e studentëve është në një kuptim, jo thjesht ngjarja më e rëndësishme e vitit, por ngjarja më e rëndësishme e disa viteve të fundit. Protesta e studentëve me xhenuinitin e vet, studentët me spontanitetin, energjinë, por edhe dëlirësinë e vet, bënë që shoqëria të shohë disa të vërteta të mëdha dhe të kuptojë se në çdo situatë sado të rëndë, ka shpresë.

Studentët treguan atë që kushdo e dinte, por nuk e thoshte, atë që kushdo e dinte, por si pasojë e korrupsionit moral dhe konformizmit, nuk e shprehte. Studentët treguan llojin e demokracisë, formën e regjimit politik, gjendjen ekonomike dhe nivelin e shkollës sonë. Studentët thanë nuk ka demokraci, qeveria kontrollon arbitrarisht Universitetin, qeveria është e papërgjegjshme, qeveria është e shkëputur krejtësisht nga jeta e njerëzve.

Studentët thanë se regjimi politik është surrogatodemokraci, autoritarizëm, regjim politik përballë të cilit duhet një dhjetor i dytë. Studentët treguan dështimin e plotë të ekonomisë dhe mjerimin e vendit. Një studente i tha kryeministrit: “Jemi pesë vetë në familje, punoj vetëm unë. Prindërit janë pa punë”. Studentët treguan mizerjen e shkollës, kushtet e rënda, mësimdhënien e keqe, shkatërrimin e Universitetit. Më shumë se kaq, askush nuk duhet të kërkojë. Kjo ishte mrekulli.

Ata rrëzuan një fasadë, rrëzuan një lojë të rëndë dhe verbuese të hedhur me përkushtim dhe kujdes ekstrem nga kryeministri. E bënë këtë mes një apatie dhe mes një humbjeje të plotë të shpresës se dikush mund të reagojë. Poshtëruan median, gazetarët, analistët, gjasme intelektualët dhe politikën që nuk e tregoi kurrë këtë gjendje.  Sido që të jetë, tashmë do të kemi një Shqipëri tjetër.

Një tjetër ngjarje e madhe, mendoj se është ngritja e ushtrisë së Kosovës. Nuk ekziston një vend sovran pa ushtri. Kosova nuk mund të jetë një Andora, një Lihtenshtejn apo një Monako dhe të mbijetojë pa ushtri.  Është fat që amerikanët, SHBA, presidenti, Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes e përkrahën ngritjen e ushtrisë së Kosovës. Është një ngjarje që përmbyll një fazë, një proces dhe tashmë asgjë nuk ka kthim.

Vetingu dhe protesta e studentëve janë dy ngajrjet e vitit

Skënder Minxhozi

Vetingu: Gjatë 2018-ës pamë për herë të parë sesi trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve kaloi nëpër filtrin e shqyrtimit të pasurive. Megjithëse një filtër i pjesshëm, pasi nuk shqyrtoi vendimet e marra gjatë karrierave të tyre, vetingu tregoi se një pjesë e madhe e atyre që vendosën t’i futen rrugës së verifikimit, kishin jo pak mëkate për të larë. Ngritja e organeve të reja të drejtësisë ishte nga ana tjetër një tipar i avancimit të reformës, e cila rrethohet nga më pak optimizëm, por po hedh megjithatë hapat drejt formalizimit të strukturës së re të drejtësisë shqiptare. Me shpresën që do të kemi më në fund, në muajt që vijnë, një drejtësi që do të bëjë drejtësi.

Studentët: Protestat e studentëve sollën një valë të pashpresuar reagimi qytetar dhe vetëdijeje civile, në një ambjent të fjetur e të dominuar nga interesat, tarafet dhe klanet. Studentët treguan se mund të protestohet pa flamuj partish dhe pa autobusa militantësh të prenotuar nga provinca. Protesta qe një goditje për të gjitha palët, së pari për qeverinë dhe Edi Ramën, por edhe një shans për të korrigjuar kursin qeverisës edhe përtej tetë pikave të famshme të kërkesave studentore.

Protesta e studentëve dhe PPP-të qeveritare përcaktuan vitin politik dhe social

Selami Xhepa

Dy ngjarjet që mendoj se  kanë portretizuar vitin 2018 në gjykimin tim janë:

Leksioni studentor mbi politikën. Revoltat studentore nuk janë thjesht një shpërthim ndaj gjendjes shumë të rëndë në sistemin e arsimit të lartë të vendit, por mbi të gjitha ishin një shkundje e klasës politike të vendit në raport me gjendjen e shoqërisë shqiptare në tërësi. Qeverisjet autoritariste dhe klienteliste që kemi prodhuar gjatë viteve të tranzicionit, pa asnjë mekanizëm funksional llogaridhënjeje, kanë rezultuar në një sistem të një demokracie jofunksionale. Tre dekada tranzicioni e kanë lodhur deri në rraskapitje shoqërinë shqiptare, ndërsa  rotacionet politike nuk arritën të prodhojnë qëndrueshmëri të politikave dhe reformave zhvilluese të vendit. Humbja e besimit e demostruar nga nivelet alarmante të emigrimit, është dhe këmbana e alarmit që studentët po  përcjellin me revoltën e tyre. Vendi ka nevojë t’i ngjallet shpresa dhe t’i rikthehet besimi se Shqipëria mund të bëhet.

Në aspektin ekonomik, e veçanta e vitit 2018 janë të (pa)famshmet kontrata të Partneritetit Publik Privat, të cilat po maskojnë një shpërdorim në përmasa të mëdha të parave të taksapaguesve në kontrata të tejfryra dhe të dhëna në mënyrë thellësisht korruptive. Rasti i kontratës së Unazës në Tiranë, nuk është gjë tjetër veçse shfaqja publike e një praktike që ka vazhduar prej vitesh në kontrata të këtij lloji. Mendoj se qeverisja ekonomike ka krijuar rreziqe të mëdha për shkak të kontratave koncesionare, vlerat reale të të cilave do të materializohen vetëm në të ardhmen.

Politiko.al

Të fundit