Flash News

KRYESORE

Mediat e huaja për protestën: Opozita akuzon Ramën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, kërkohet largimi i tij

Protesta e opozitës që po zhvillohej para Parlamentit, ndërkohë që tani është zhvendosur para Ministrisë së Punëve të Brendshme, është pasqyruar edhe nga mediat e ndërkombëtare. Gazeta “New York Times”, “The Associated Press” etj, kanë raportuar për zhvillimet në Tiranë.

“Opozita akuzon qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar, gjë që qeveria e mohon. Që nga mesi i muajit shkurt, mbështetësit e opozitës janë përpjekur vazhdimisht të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe me ujë”, citohet në artikullin e New York Times.

“Partia demokratike bën thirrje për dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama. Tensionohet protesta e sotme nga ana e opozitës shqiptare, përpara Parlamentit ku është duke u zhvilluar protesta e radhës. Përveç kapsollave dhe tymueseve, grupet e protestuesve kanë provuar disa herë që të kalojnë kordonin e sigurisë në hyrjen kryesore, ku janë vendosur shumë oficerë policie. Që nga shkurti i kaluar, opozita ka zgjedhur të dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama, i akuzuar për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas krijimit të një qeverie transitore. Një grup deputetesh të opozitës dhanë dorëheqjen, duke hequr dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Megjithatë, të paktën 17 prej tyre u zëvendësuan nga kandidatë të tjerë të opozitës, të cilët ishin në listat e vitit 2017”, shkruan ANSA.

Të fundit