Flash News

KRYESORE

Mes batutash dhe ultimatumesh, ‘integrimi’ ul në tryezë Ramën, Metën e Hajdarin; Presidenti: Zgjedhorja të finalizohet në parlament

Mes batutash dhe ultimatumesh, ‘integrimi’ ul në tryezë

Përfaqësues të lartë të politikës sot u ulën në një tryezë të përbashkët, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Takimi nisi i “çlirët” mes përfaqësuesve të politikës, të cilët nuk i kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Megjithatë edhe pse sot nuk pati shtrëngime duarsh për shkak të pandemisë covid-19, mediat u fokusuan te takimi para mbledhjes ‘bërryl më bërryl’ i presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, të cilët u shfaqen të qeshur krah njëri-tjetrit.

Veç tyre, pjesë e kësaj tryeze ishin edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe deputetja Rudina Hajdari.

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit politikë u fokusuan te rëndësia e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore mes palëve të Këshillit Politik, si një hap pozitiv për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.

Soreca: Këshilli Europian, do të prezantojë së shpejti kuadrin negociues për rregullat e lojës

Unë ju përgëzoj të gjitha palët që jeni bërë bashkë, pasi kështu vërtetohet fryma e konsensusit. Këshilli Europian, do të prezantojë së shpejti kuadrin negociues, për rregullat e lojës. Shtetet anëtare i kanë kërkuar Shqipërisë të marrë masa para konferencës ndërqeveritare. Gjithçka është në duart tuaja”

“Të mbizotërojë dialogu”, Meta: Ndryshimet e ‘zgjedhores’ të finalizohet me miratimin e shpejtë në Parlament

Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet që mbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve. Inkurajoj gjithashtu që në plan-veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të zbërthehen një për një të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë”, tha Meta ndër të tjera, në kushtet kur opozita në parlament ‘kërcënon’ se nuk do të votojë marrëveshjes, që sipas tyre është pazari i radhës mes partive të mëdha.

Pas Metës, fjalën e mori kryeministri Edi Rama, i cili duke u ndalur te Reforma Zgjedhore, u shpreh kritik për mënyrën se si palët arritën të gjenin dakordësinë mes tyre.

Rama: Marrëveshja në ambasadën e SHBA do të jetë e fundit

Ndoshta jemi rast unikal asnjë forcë shoqërore që të predikojë asnjë rrugë tjetër e bën të duket edhe më problematik faktin se jemi ende të paaftë që të komunikojmë shqip- shqip me njëri tjetrin. Rasti i fundit që u përshëndet është flagrant. Jemi mbledh në një ambasadë forcat e mëdha të vendit, mbyllur atje ditë e natë për të marrë vesh që nuk do bëjmë atë që duhet të bënim, por do lëmë gjërat siç janë.

Këtë s’mund ta realizonim vetë? Pse do ishte nevoja që të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike në vend dhe ndërveprimi mes nesh të zhvillohej në disa gjuhë. Personalisht mendoj se kjo do jetë e fundit dhe miqtë tanë të paçmueshëm nuk duhet të ndjehen më të këtë pozitë, ashtu sikundër zgjedhësit tanë nuk ka të pashoqë në dyert e ambasadave për arsye se palët nuk arrijnë të ndajnë çfarë është e përbashkët.

Kjo duhet të jetë e fundit, edhe për mua personalisht. Për çështje që na takojnë ti zgjidhim vetë, nëse jemi seriozë për ta bërë vendin anëtarë të BE nuk mund të bëjmë më sikur s’jemi të njëjtën për zgjidhjen bashkërisht”, tha Rama, duke shtuar se marrëveshja mund të bëhej edhe në presidencë, ndërsa i përcolli edhe ftesën për vijimin e takimeve në të ardhmen.

Nuk është sekret se me presidentin kemi çështje të hapura, patjetër mund të takohemi te presidenti, kryetari i Kuvendit, kryemyftiu i Tiranës, te Baba Mondi , edhe te protestantët për të gjetur një fushë ku nuk ka anësi, ne nuk mundet më të bëjmë dialog e marrëveshje nëpër ambasada”, u shpreh Rama.

Kësaj ftese, Meta iu përgjigj menjeherë pas mbledhjes, kur u pyet nga gazetarët:

Ishim për çështjet e Integrimit Evropian, dhe për këto çështje jam e do jem i disponueshëm për t’ju përgjigjur çdo ftese, si sot.  Çdo gjë që kam bërë, çdo gje, e kam bërë që Shqipëria të mos humbasë kohën që ka shpërdoruar në këto dekada. Ka nisur me Kroacinë e ka qenë para Serbisë e Malit të Zi dhe sot jemi në një situatë jo shumë pozitive”, është shprehur Meta.

Në mbyllje të fjalës, kryeministri nuk i kurseu ironitë, teksa Rudina Hajdari, e cila ka drejtuar këtë mbledhje, i ndërpreu fjalën.

Nuk e kuptova ndërhyrjen… A patjetër zonja Topalli!”, ia ka kthyer Rama pasi Hajdari i tregoi se ky ka kaluar limitet e kohës për të folur.

Kryenegociatori Zef Mazi flet për herë të parë: Suksesi vjen nëse të gjithë flasim një zëri.

“Moment historik për vendin”, kështu e ka cilësuar kryenegocatori i Shqipërisë, Zef Mazi, nisjen e kapitullit të bisedimeve me Bashkimin Evropian në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin.

Në fjalën e tij të parë pas emërimit në krye të këtij pozicioni, Mazi u shpreh se ky është një moment historik dhe se nëse palët duan sukses, duhet të ketë bashkëpunim dhe palët të flasin një zëri.

Ky është një moment historik për vendin tonë. Këto janë negociatat më të rëndësishme të vendit tonë në 70 vitet e fundit. Ky shans i madh që na u dha, na motivon që përpjekjet tona dhe këtë besim t’a çojmë deri në fund. Kjo punë do të ketë sukses nëse ne do të jemi profesionistë, do të flasim në një zë. Me përkrahjen e Këshillit, shoqërisë civile, akademikëve dhe faktorëve që kanë peshë në shoqërinë shqiptare, unë dhe grupi negociator s’do të kursehemi për të çuar më para këtë proces. Falënderoj për besimin që mu dha personalisht”, tha Mazi.

Lexo edhe;

https://politiko.al/zbardhet-plani-me-15-pika-i-integrimit/

Të fundit