Flash News

KRYESORE

Mesazhet dhe dorëheqja, reagon kreu i FRESSH: I bindur se studentët do të zgjedhin një modalitet të gjithëpranuar dialogu

Mesazhet dhe dorëheqja, reagon kreu i FRESSH: I bindur se studentët do

Kreu i Forumit Rinor të të Rinjve Socialistë, Eljo Hysko, ka reaguar ndaj lajmeve të lajmeve të publikuara ditët e fundit ndaj tij, ku fillimisht u publikuan disa mesazhe ku kreu i FRESSH u kërkonte aktivistëve që të komentonin në Facebook-un e kryeministrit ndërsa ditën e shtunë u raportua se ai mund të kishte dhënë dorëheqjen.

Hysko e nis reagimin e tij duke thënë se FRESSH i konsideron legjitime dhe të drejta 8 kërkesat e studentëve teksa shton se hedh poshtë lajmet se pjesëmarrja e disa prej aktivistëve të FRESSH në protestë ka pasur qëllime të mbrapshta.

Sa i takon mesazheve të publikuara fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas në media, kreu i FRESSH i cilëson ato si sajesa.

Reagimi i plotë

Për studentët, dialogun dhe sajesat!

FRESSH i konsideron legjitime dhe të drejta 8 kerkesat e studentëve. Protesta e zhvilluar po na tregon ngadalë-ngadalë se besimi tek mekanizmat për demokratizimin e vendit janë rimëkëmbur.

Shtatë vjet pas 21 janarit 2011, asaj dite të keqe për kombin tonë, qytetarët kanë filluar të kuptojnë se jo vetëm që nuk vdes në shesh kur del të kërkosh të drejtat, por madje në rastin në fjalë edhe merr atë çka të takon.

Përpos përqafimit të 8 kërkesave të studentëve FRESSH mbështet dialogun si e vetmja formë demokratike e të ndërvepruarit në shoqëri. Kemi bindjen dhe besimin se shumë shpejt studentët do të zgjedhin një modalitet të gjithëpranuar dialogu nga i cili do të nisi procesi për transformimin e arsimit.

Bindjet politike nuk mund të jenë pjesë e diskursit për të drejta themeltare të arsimit, ndaj ne hedhim poshtë me neveri çdo akuzë të bëra këto 12 ditë se pjesemarrja e lirë dhe individuale e disa prej aktivistëve të FRESSH në protestë ka pasur qellime të mbrapshta. Ato janë shprehja më kuptimplotë e demokracisë së brëndshme.

Nuk mund të thuash të njëjtën gjë për të tjerët të cilët dita ditës po tentojnë të zaptojnë e bëjnë pis megafonin e dlirë e çiltër të studentëve për të ndërtuar retorikën e tyre me ëndra rotacioni pushteti, pa asnjë lidhje me revolucionin në arsim! Partizimi dhe dhuna që po mbarsin duhet të qendrojnë larg tyre!

Është një moment unik për studentët që këtë energji të jashtëzakonshme ta kthejnë në një proces historik të transformimit të arsimit.

Rruga e duhur është nëpërmjet dialogut, pa u tërhequr asnjë milimetër nga 8 kërkesat e tyre.

Në lidhje me sajesat që janë publikuar në formën e mesazheve në grup dua ti kërkoj ndjesë për shqetësimin familjeve të Luisit, Glindxhetit, Tedit, Ivës, Maurës, Endrës, Arlindit & Keidës apo kushdo që do jetë shënjestra e rradhës të cilët janë bërë viktima të montimeve banale nëpërmjet fake chat app dhe sot po linçohen virtualisht. Ato janë kryekëput trillime të një mendje të semurë e cila nuk paska kufinj e moral.

Shpreh keqardhje që portalet e fanpaget janë kthyer në thertore virtuale të çdokujt që nuk i shërben qellimeve të sponsorave të tyre. I inkurajoj të rinjtë, jo vetëm ata të FRESSH që të qendrojnë për atë që besojnë, pa pasur frikë se ndonjë kasap virtual do ti versulet me sepatën e sajesave.

Gazetarët me një fije profesionalizmi, mos ti shndërrojnë mediat e tyre në gijotina virtuale për të rinjtë por të ndaloni publikimin e të pavërtetave.

Shoqeria jonë nuk fiton asgjë nga urrejtja, dhuna, shpifja apo gënjeshtra.

Ne kemi nevojë që zjarrin e shpresës që sollën studentet ta mbajmë ndezur bashkë për të ndricuar e ngrohur të tashmen e të ardhmen tonë e jo për ti vënë flakën njëri tjetrit vetëm se disa kanë ëndrra rotacioni të pushtetit e aspak të revolucionit në arsim.

Ne mund të shkojmë përpara vetëm nëpërmjet dialogut, besimit e duke i dhënë një dorë njëri tjetrit. Jam i bindur se STUDENTËT MUNDEN, RINIA MUNDET!

 

Të fundit