Flash News

KRYESORE

Meta i kthen Kuvendit ndryshimet në Kodin Penal: Rrezik për sigurinë e qytetarëve

Meta i kthen Kuvendit ndryshimet në Kodin Penal: Rrezik për

Presidenti Meta ka rikthyer për shqyrtim ndryshimet në ‘Kodin Penal’.

Bëhet fjalë për ndryshimet në Kodin Penal, që sipas shpjegimit të Kreut të Shtetit përbëjnë rrezik për sigurinë juridike të qytetarëve.

Meta kërkon rishikimin dhe përmirësimin e neneve 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti. Në arsyetimin bashkëngjitur dekretit të kthimit të ligjit, Presidenti shprehet se ky ligj i paraqitur për shpallje në përgjithësi është një akt ligjor me tendencë pozitive, pasi për disa çështje, dispozitat aktuale të Kodit Penal nuk garantojnë parandalimin apo ndëshkimin e duhur të disa veprimeve apo mosveprimeve negative që janë shfaqur në shoqëri, për të cilat është e nevojshme parashikimi i tyre si vepra penale, apo për disa të tjera vlerësohet e nevojshme forcimi i ndëshkimit penal.

Nga ana tjetër, -thuhet në arsyetim- gjatë shqyrtimit u konstatua se disa dispozita të veçanta të ligjit nr. 44/2019 dhe konkretisht nenet 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal, paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre; nuk janë në harmoni apo në ndonjë rast mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.

“Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, që është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale. Pra, në këto kushte ku ndodhet vendi, pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese funksionale, i takon Kuvendit të Shqipërisë që të tregojë kujdesin maksimal gjatë hartimit dhe miratimit të dispozitave të reja në Kodin Penal, që krijojnë figura të reja të veprave penale, pasi kriminalizimi i sjelljeve apo veprimeve në figura krimi, ndërkohë që ende nuk është funksionale trupa gjyqësore që mund të bëjë unifikimin e praktikës gjyqësore në këtë drejtim mund të sjellë si rezultat aplikim të ndryshëm të normës në praktikë, duke krijuar rrezik për cenim të parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj”, deklaron Presidenti Meta.

Të fundit