Flash News

KRYESORE

Meta merr vendimin: Në 25 prill 2021 zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare

Meta dekreton 25 prillin 2021 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Vendimi, i cili hyn në fuqi në mënyrë të menjëhershme, është marrë pas diskutimit me liderët politik ditën e premte.

Presidenti Meta thekson se ka dekretuar këtë datë, pra të dielën e fundit e prillit, për zhvillimin e zgjedhjeve “në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.”

Dekretimi i 25 prillit nga Meta, u bë pasi kjo datë u pa si data më të afërt që lejon Kushtetuta me ndryshimet e reja në kodin zgjedhor, ku periudha e mbajtjes së zgjedhjeve është nga 15 prill - 15 maj.

Kujtojmë se, pas takimit të së premtes, kryeministri Rama i kërkoi Presidentit Meta që të vendoste si datë zgjedhjesh çfarëdolloj date veç dy majit, ditë në të cilën është Festa e Pashkëve. E njëjta përgjigje pa një datë konkrete me përjashtim të 2 Majit, u konfirmua edhe nga dy partitë e mëdha opozitare PD dhe LSI.

Ndërkohë, që çuditërisht nga 30 ditë të vitit, pra 15 prill - 15 maj që lejon Kushtetuta për mbajtjen e zgjedhjeve, pikërisht kjo datë, pra 2 Maji, u kërkua nga Rudina Hajdari, me argumentin se kjo datë simbolike do të ishte po ashtu edhe një ditë historike për “shporrjen e së keqes”, pra largimin e qeverisë.

Të fundit