Flash News

KRYESORE

Meta: Nuk mund të rrija indiferent, është mundësia për të mirëmbajtur teatrin ekzistues

Meta: Nuk mund të rrija indiferent, është mundësia për

Presidenti Ilir Meta ka arsyetuar sërish se pse nuk e dekretoi ligjin për teatrin. Nga Shkodra ku ishte i pranishëm në kuadër të nismës së ndërmarrë të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, Meta u shpreh për mediat se qëndrimi i tij është bazuar në Kushtetutë dhe në interesin kombëtar.

“Presidenti nuk mund të qëndrojë indiferent apo të qëndrojë në heshtje për çështje që krijojnë probleme në raport me parimet kushtetuese, objektivat që kemi sa i takon shtetit, shoqërisë, detyrimeve ndërkombëtare etj, apo që mund të krijojnë precedentë shqetësuese në të ardhmen, që mund të cenojnë autonominë e pushtetit vendor. Duhet te evitojmë çdo precedent”, tha Meta.

Kreu i shtetit e vuri theksin tek ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe historike.

“Unë besoj se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është detyrë e të gjithëve. Për fat të keq në të kaluarën nuk jemi treguar të kujdesshëm ndaj këtyre vlerave, kemi dëmtuar shumë prej tyre”, u shpreh Meta teksa theksoi se “mundësia është për të mirëmbajtur teatrin ekzistues dhe për të ndërtuar një të ri, që Tirana si kryeqytet i shtuar në numër, ka nevojë për teatër të ri, qendra të reja të zhvillimit të kulturës etj. Të gjitha mund të ndodhin duke respektuar Kushtetutën dhe legjislacionin qe ka vendi ynë. Pra nuk ka nevojë për ligj të ri, apo precedent që na nxjerr nga shinat e funksionimit të shtetit ligjor”.

Të fundit