Flash News

KRYESORE

Meta pret ambasadorin e ri të Kroacisë: Mes dy vendeve ka ende potencial të pashfrytëzuar për shkëmbimet tregtare

Meta pret ambasadorin e ri të Kroacisë: Mes dy vendeve ka ende

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim, ambasadorin e ri të Kroacisë në Tiranë, Zlatko Kramaric, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Duke i uruar mirëseardhjen Meta e siguroi Ambasadorin Kramaric për një bashkëpunim të ngushtë në përmbushje të misionit të tij në Shqipëri.

“Këto marrëdhënie, tashmë të një Partneriteti Strategjik, mbështeten në lidhjet e forta historike mes dy kombeve e bazohen te përparësia jonë e përbashkët e politikës së jashtme - kontributi për një rajon të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë dhe vizioni i përbashkët euroatlantik”, - u shpreh Kreu i Shtetit.

Duke ju referuar kontributit të Diasporës shqiptare në zhvillimet dhe progresin e Kroacisë, Presidenti Meta vlerësoi se ajo është një urë e vërtetë miqësie që mund të shërbejë për të nxitur më tej lidhjet dhe marrëdhëniet në çdo fushë.

Gjithashtu Presidenti Meta vlerësoi se ka ende potencial të pashfrytëzuar sa i përket shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë.

“Duhet të angazhohemi bashkërisht në rritjen e tyre, për t’i paraprirë investimeve, duke patur parasysh potencialin e Shqipërisë, veçanërisht në fushën e infrastrukturës dhe turizmit”, - theksoi Kreu i Shtetit.

Kreu i Shtetit falenderoi autoritetet kroate për angazhimin e menjëhershëm pas tërmetit të 21 shtatorit, solidaritetin e treguar dhe dërgimin e ndihmave humanitare.

Gjithashtu, Presidenti Meta e falënderoi Ambasadorin Kramaric për mbështetjen e Kroacisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Të fundit