Flash News

KRYESORE

Meta provokohet nga gazetari maqedonas gjatë konferencës me Ivanov: Çfarë shantazhi iu bëri Bullgaria?

Meta provokohet nga gazetari maqedonas gjatë konferencës me Ivanov:

Një prej gazetarëve maqedonas të pranishëm në konferencën e përbashkët të presidentit Ilir Meta dhe homologut George Ivanov, ka provokuar presidentin shqiptar me pyetjen për njohjen e minoritetit bullgar në Shqipëri.

“Ju thatë se krenoheni me minoritetin maqedonas në Shqipëri, por a mund të na thoni sa bullgarë ka në Shqipëri dhe cili ishte shantazhi që Bullgaria i bëri Shqipërisë për të përfshirë minoritetin bullgar në ligjin për minoritetet?”,- ishte pyetja që gazetari maqedonas i drejtoi Metës.

Presidenti Meta ritheksoi se legjislacioni ishte në përputhje me standardet evropiane dhe u shpreh se në Shqipëri nuk inkurajohen zhvillime që nuk i korrespondojnë realitetit të përfaqësimit etnik, duke iu referuar në këtë mënyrë frikës së maqedonasve se njohja e minoritetit bullgar do të ndikojë negativisht në përfaqësimin e tyre.

“Dëshiroj të nënvizoj që Shqipëria është e angazhuar që të respektojë të drejtat e pakicave etnike dhe kulturore, në këtë drejtim ka patur një rivlerësim të legjislacionit në përputhje me standardet evropiane. Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë kanë treguar fleksibilitet dhe tolerancë maksimale, por kjo nuk do të thotë që ne inkurajojmë zhvillime që nuk do t’i korrespondonin atij realiteti që është në Shqipëri sa i përket përfaqësimit etnik apo kulturor. Unë dua të nënvizoj edhe njëherë vlerat e shkëlqyera dhe shumëmirë të integruara të minoritetit maqedonas në Shqipëri dhe kam siguruar presidentin Ivanov që gjatë mandatit tim do të jem pranë këtij komuniteti dhe të ruaj identitetin e tyre pasi është një pasuri për Shqipërinë”, u përgjigj Meta.

Duke qenë se Ivanov ka ruajtur gjithnjë një retorikë pro-serbe sa i përket çështjes së Kosovës, Meta falënderoi në konferencën e përbashkët Maqedoninë për njohjen e Kosovës dhe tha se qeveria e re në shtetin fqinj do të punojë për forcimin e marrëdhënieve me Prishtinën. Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev pas takimit që do të zhvillojë me Metën, do niset për një vizitë zyrtare në Beograd.

Dënimi i ‘Grupit të Kumanovës’, Meta në krah të Ivanov: Nuk ndërhyj në çështje konkrete, por gjykimi të bëhet në frymën evropiane

Të fundit