Flash News

KRYESORE

Meta uron Macron për Festën Kombëtare të Francës, përmend edhe negociatat: Mbështetja juaj na inkurajon

Meta uron Macron për Festën Kombëtare të Francës,

Presidenti Ilir Meta ka uruar presidentin e Francës Emmanuel Macron me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës.

Në një mesazh në Facebook Meta fillimisht shpreh mirënjohje për mbështetjen e Francës ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE.

Duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Meta shprehet se në sajë të vullnetit të përbashkët, bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Shqipërisë do të forcohet edhe më shumë në të gjitha fushat.

Më poshtë letra e plotë

I nderuar Zoti President, Emmanuel Macron

Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, më lejoni të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik francez.

Marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis dy vendeve dhe popujve tanë

kanë krijuar një bazë solide miqësie e partneriteti për të ardhmen.

Jam i bindur se, falë vullnetit dhe përpjekjeve të përbashkëta, bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Shqipërisë do të forcohet edhe më shumë në të gjitha fushat.

Përfitoj nga rasti të shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë për ndihmën e madhe që Ju dhe Franca po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Mbështetja Juaj dhe e një vendi mik si Franca, si dhe metodologjia e re e zgjerimit, janë inkurajim dhe motivimi i duhur për ne për të vijuar me vendosmëri përmbushjen e reformave që do të mundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Duke shprehur dhe një herë urimet më të mira për Ju, për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Francës, si dhe dëshirën time për t’Ju mirëpritur në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, ju lutem Zoti President, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë. 🇦🇱🤝🇫🇷

Të fundit