Flash News

KRYESORE

Mimi Kodheli mesazh kolegëve: Është punë e qeverisë të mirinformojë publikun. Unë nuk kisha informacion për ‘Rrugën e Kombit’

Mimi Kodheli mesazh kolegëve: Është punë e qeverisë

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli ka deklaruar se reagimi i saj për tarifën dhe krizën që pasoi në ‘Rrugën e Kombit’, erdhi në kohën e duhur. E shumë kritikuar nga qytetarët e qarkut të saj për vonesën në reagim, Kodheli tha në emisionin 'Tonight' në 'Ora News' se përpara se mbante një qëndrim është konsultuar me banorët dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë çështje.

“Mendoj se reagimi ka qenë në kohën e duhur sepse unë kam qenë në bisedime me kuksianët. Një reagim i hershëm të bën që të reflektosh më mbrapa, duke mos ditur gjithçka”, tha Kodheli.

Deputetja socialiste u ka dërguar edhe një mesazh kolegëve të saj në Qeveri, kur tha se është detyra e tyre që të mirinformojnë publikun përpara se të aplikojnë vendime të tilla. Ajo theksoi se personalisht nuk ka patur informacion për kontratën koncesionare.

“Nuk kisha njohuri të thella se si ishte realizuar kontrata koncesionare. Mund të hajë diskutim se si dhe sa është informuar publiku, sigurisht që është punë e qeverisë të mirinformojë publikun përpara se ta aplikojë diçka të tillë. Teorikisht kjo tarifë është vënë përpara dy vjetësh. Unë veproj sipas bindjeve të mia dhe mendoj që absolutisht kam vepruar drejt pas shumë bisedash që kam zhvilluar me kuksianët atje”, tha Kodheli.

Sa i përket përplasjes së protestuesve me policinë, Kodheli deklaroi se nuk ka komunikuar me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por akuzoi disa elementë të veçantë me precedentë penalë, që sipas saj kanë ndikuar në nxitjen e përplasjeve.

Të fundit