Flash News

KRYESORE

Ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë pa ‘certifikatë sigurie’; e domosdoshme për NATO-n dhe BE-në

Ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë pa ‘certifikatë

Gent Cakaj është ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë, duke zëvendësuar në këtë post Ditmir Bushatin. Cakaj do të marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare vetëm gjashtë muaj pasi u emërua në postin e zv/ministrit të Jashtëm, ku gjatë kësaj periudhe u identifikua lehtësisht si i preferuari i kryeministrit Edi Rama për pasuesin e Bushatit.

Por, burime të mirinformuara në qeverinë e Ramës bëjnë me dije për Politiko.al se, Gent Cakaj nuk është pajisur ende me Certifikatën e Sigurimit të Personelit (CSP).

CSP është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Për personin që emërohet në postin e ministrit të Jashtëm pajisja me këtë certifikatë është e domosdoshme për shkak se administron informacionin e klasifikuar, të NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Zoti Cakaj e ka patur të nevojshëm CSP-në edhe në postin e zv/ministrit të Jashtëm, por deri më tani, siç bëjnë me dije burimet, nuk është pajisur me të. Politiko.al tentoi të kontaktonte me ministrin e ri, por ai nuk ishte i disponueshëm.

Nivelet dhe tipet e Certifikatës së Sigurimit të Personelit janë: Konfidencial; Sekret; Tepër sekret.

Afati për të pajisur me CSP nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që nga momenti i aplikimit, zgjat 120 ditë, ndërkohë që Gent Cakaj, duke llogaritur periudhën si zv/ministër i Jashtëm, e ka tejkaluar këtë periudhë.

Përpara se të emërohej në postin e zv/ministrit, Cakaj ka qenë këshilltar i kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që në faqen e Ministrisë së Jashtme nuk gjendet as cv-ja e tij, ndryshe nga zv/ministrat e tjerë.

Të fundit