Flash News

KRYESORE

Ministria e Jashtme i përgjigjet Metës: Procesi me Greqinë është kompleks, mos projekto anormalitet që nuk ekziston

Ministria e Jashtme i përgjigjet Metës: Procesi me Greqinë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë i është përgjigjur nëpërmjet zëdhënëses Edlira Prendi, deklaratave të presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili paralajmëroi dështimin e negociatave me Greqinë, për marrëveshjen e detit, nëse nuk informohet në mënyrë korrekte.

Në deklaratën e MPJ-së thuhet se çështjet e ngritura nga Presidenti do të marrin përgjigje në rrugë institucionale, ndërsa theksohet se ministri Ditmir Bushati mbetet i angazhuar për vijuar konsultimet me Metën.

MPJ kërkon nga Meta që të mos projektojë anormalitet që nuk ekziston për këtë çështje, pasi procesi me Greqinë është kompleks dhe kërkon qetësi.

Reagimi:

Në përgjigje të interesimit të mediave, zëdhënësja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edlira Prendi, dëshiron të bëje me dije se:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve.

Çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces.

Procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston.

A synon presidenti të udhëheqë negociatat me Greqinë? Ilir Meta: Unë nuk jam ekspert, por nuk firmos në letër të bardhë

Të fundit