Flash News

KRYESORE

Ministrja bullgare zbulon në Selanik planin e Kotzias kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë

Ministrja bullgare zbulon në Selanik planin e Kotzias kundër

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka zbuluar ‘pa dashje’ planin e ministrit grek, Nikos Kotzias, për të nxjerrë jashtë vëmendjes së anëtarëve të BE-së në Ballkan, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën.

Kotzias kishte bërë publike një nismë ku katër vendet anëtare të BE-së në Evropën Juglindore, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia do të takohen me qëllim forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në proceset integruese. Por Kotzias foli për takime që liderët e këtyre vendeve do të zhvillojnë në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi, duke mos përfshirë në planin e tij Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën, tre vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, me objektiv të qartë anëtarësimin në BE.

Sofja mesa duket është kundër kësaj ideje edhe për faktin se i konsideron të rëndësishme marrëdhëniet me Shkupin.

Ministrja Zaharieva në takimin dypalësh që zhvilloi sot në Selanik me homologun Kotzias, tha se këto takime të katërshes së BE-së në rajon, do të shtrihen në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që ministri grek kishte folur vetëm për tre.

“Ministrja Zaharieva dhe ministri grek i Jashtëm, Nikolaos Kotzias diskutuan sërish idenë që kryediplomatët e Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë dhe Kroacisë, katër vendet anëtare të BE-së në rajon, të vizitojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të dhënë mbështetje politike për integrimin e tyre evropian. Një marrëveshje e tillë është arritur nga katër ministrat gjatë një takimi në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork”, thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

Ndërsa në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë më 22 shtator, ndër të tjera thuhej: “Ne patëm një takim shumë interesant të katër vendeve juglindore anëtare të BE-së; këto janë Kroacia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia. Ne biseduam për të zhvilluar një udhëtim të përbashkët në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, për të kontribuar në promovimin e kursit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.”

Këto dy qëndrime të ndryshme të Sofjes dhe Athinës tregojnë se diçka ka lëvizur në kanalet diplomatike pak javë pas deklaratës së Kotzias dhe takimit në Bullgari, ku kryeministri grek Aleksis Tsipras kërkoi anëtarësim të shpejtë të Serbisë në BE.  

Lexo edhe: Greqia kërkon të kthehet qendër e aleancave në Ballkan, Kosovën e mban jashtë çdo takimi (29 shtator)

Të fundit