Flash News

KRYESORE

Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, ambasada e SHBA, BE e britanike 'shuplakë’ PS: Keqardhje! Shumica dështoi

Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, ambasada e SHBA, BE e britanike

Vjen reagimi i ashpër i ambasadës së SHBA dhe asaj britanike në Tiranë pas miratimit në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada amerikane e cilëson kodin e ri si shtesë dhe jo shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, por thekson se për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.

"Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar", shkruan ambasada e SHBA e akredituar në Tiranë.

Norman: Ndryshimet u miratuan pa përpjekje rraskapitëse për të gjetur konsensusin

Edhe ambasada britanike e akredituar në Tiranë ka shprehur keqardhjen sa i takon ndryshimeve kushtetuese të miratuara sot në Kuvend për Kodin e ri Zgjedhor.

Sipas ambasadorit Duncan Norman, ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bërë pa marrëveshjen e Këshillit Politik dhe pa përpjekje rraskapitëse për të gjetur konsensusin.

Marrëveshja e 5 qershorit ishte një hap i rëndësishëm përpara, i bërë i mundur përmes dialogut dhe negociatave. Na vjen keq që ndryshimet e sotme në Kodin Zgjedhor janë bërë pa marrëveshjen e Këshillit Politik dhe pa përpjekje rraskapitëse për të gjetur konsensusin”, shkruan ambasadori britanik, Duncan Norman.

BE: Keqardhje që s’pati kompromis, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet

Sipas BE, Kodi nuk ka lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit, megjithatë shpreh keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament.

“Morëm njoftim mbi miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Kujtojmë se këto nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit.

Shprehim keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament.

Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE / ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet.

Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit”, thuhet në reagimin e BE.

Gahler: Shkelja e 5 qershorit mund të shtyjë Konferencën e parë ndërqeveritare 

Më herët reagoi edhe përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të PPE në Parlamentin Europian, Eurodeputeti, Michael Gahler.

Sipas tij, shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit mund të shtyjë shumë mirë Konferencën e parë ndërqeveritare si hapi i parë për fillimin e negociatave të vërteta të pranimit në BE.

Duke votuar sot për të shkelur BE-në miratoi marrëveshjen e 5 qershorit me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e përgjithshme të prillit të ardhshëm të cilat supozohej të ishin të lira dhe të ndershme dhe më të mira se ato të mëparshmet.

Duke vepruar kështu Rama pengon qartë integrimin e Shqipërisë në BE. Më saktë shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit mund të shtyjë shumë mirë Konferencën e parë ndërqeveritare si hapi i parë për fillimin e negociatave të vërteta të pranimit në BE.

Shqipëria meriton shumë më mirë se kaq. I bëjmë thirrje Presidentit të Shqipërisë të kthejë mbrapsht ligjet e sotme në Parlament.

I bëjmë thirrje kryeministrit Rama të rishqyrtojë qëndrimin e tij për hir të së ardhmes europiane të popullit shqiptar”, shkruan Gahler.

Lexo edhe: PS ‘josh’ gjysmën e opozitës parlamentare, kush janë deputetet që votuan pro ndryshimit të Kodit Zgjedhor

Të fundit