Flash News

KRYESORE

Mirela Kumbaro: 100 herë të më pyesni, 100 herë do përgjigjem se do rreshtohesha me partizanët

Mirela Kumbaro: 100 herë të më pyesni, 100 herë do

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi sot se 100 herë të më pyesni, do rreshtohesha me partizanët dhe po ashtu 100 herë e më shumë, nuk do të rreshtja së thëni se regjimi i Hoxhës, që u vendos më pas, ishte një fatkeqësi kombëtare.

Në statusin e saj Facebook, Kombaro shprehet se debati, me dashje i pashterruar, për datën 29 Nëntor, nuk e ndryshon dot historinë.

“Pasi i lodhi mediatikisht historianët (fatkeqësisht edhe këta shpesh të ndarë në llogore politike), ai veçse vijon të mbushë tashmë portalet duke mos ndarë – sërish me dashje- 29 Nëntorin si simbol të përfundimit të Luftës Antifashiste, të rreshtimit të Shqipërisë krahas Forcave Aleate dhe të Çlirimit të vendit nga nazistët, nga fillimi i një periudhe të errët e të rëndë për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, atë të diktaturës më të egër e më të gjatë që ka njohur Europa”, shprehet Kumbaro.

Kumbaro shton se me profesion nuk jam historiane, prandaj nuk marr përsipër të bëj asnjë gjykim historiografik. Por, jam edhe e angazhuar politikisht, e prandaj akoma më pak do e bëja një gjë të tillë, sepse historinë nuk e shkruajnë politikanët, por historianët.

“Por, jam shqiptare dhe bash si e tillë, sikur 100 herë të më pyesin se nëse do të kisha jetuar Luftën e Dytë Botërore nga cila anë do të rreshtohesha, 100 herë do të përgjigjem “me partizanët”. Siç bëri tezja ime që doli partizane në moshën 17 vjeç, siç bëri i ati i saj e gjyshi im që i mbështeti me sa mundi financiarisht e materialisht, siç bëri familja e tim eti që numëron partizanë e dëshmorë. Por, po ashtu 100 herë e më shumë, nuk do të rreshtja së thëni se regjimi i Hoxhës, që u vendos më pas ishte një fatkeqësi kombëtare dhe aspak një përkthim i idealit për të cilën luftuan partizanët; përndryshe, tezja ime s’mund të kishte dalë partizane që vetëm pak vite më vonë të dy prindërit (gjyshërit e mi) t’ia burgosnin me cilësimin “armik të popullit”; përndryshe familja e tim eti s’do të ishte radhitur me shumicë me partizanët që tim atë e jo vetëm, ta ndëshkonin në vitet ’70 për “ide liberale” dhe “shkelje të vijës së partisë”, ndonëse punoi ndershmërisht e besoi verbërisht te një ideal irreal”, thekson Kumbaro.

Ajo shprehet se “Asgjë e jashtëzakonshme në këto episode, përveçse një “déjà vu” e të gjitha familjeve shqiptare. Siç është pjesë e jetës së të gjithë brezit tim që jetoi fundin e viteve ’80, padurimi, dëshira, përpjekja dhe veprimi, gjithkush sa mundi, – por padyshim i të gjithëve bashkë, – për të rrezuar diktaturën. Kaq. Historinë do ta shkruajnë historianët e brezit tjetër, që do të jenë të shkarkuar nga vrandergjegjet e profesionit të ushtruar nën diktaturë. Deri atëhere shoqëria do të evoluojë më mire”.

“Sot dua të them: Gëzuar 29 Nëntorin që na kujton aleancën e Shqipërisë me forcat antifashiste dhe kur përkujtojmë me përulje ata të rinj që dhanë vitet e rinisë dhe jetën për një dashuri të madhe fare, te e cila besuan fort, dashuria për Atdheun! ❤️🇦🇱❤️”, përfundon Kumbaro, duke postuar një pikturë në castin e çlirimit të Tiranës.

Të fundit