Flash News

KRYESORE

Mogherini mohon planin për ndarjen e Kosovës, por godet taksën. Rama qëndron në heshtje

Mogherini mohon planin për ndarjen e Kosovës, por godet taksën.

Asnjë koment nuk bëri kryeministri Edi Rama sa i përket goditjes që i dha Federica Mogherini, përfaqësuese e BE-së për Politikën e Jashtme, taksës 100% që Kosova ka vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndonëse fillimisht e ka mbrojtur vendosjen e kësaj takse, Rama ka ndryshuar së fundmi qëndrim dhe kjo u konfirmuar sot me heshtjen që mbajti në Tiranë, në krah të Mogherinit.

Sipas Mogherinit, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të bëhet i mundur menjëherë sapo të hiqet taksa.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të përcaktuar 100% taksë për mallrat nga Serbia dhe Bosnja kanë krijuar një ambient që nuk është frymëdhënës për dialogun dhe është në shkelje me marrëveshjet që ka nënshkruar Kosova. Ne kemi kërkuar që të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte kushte që dialogu të rifillonte. Nëse këto tarifa hiqen, unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut. Përgjegjësia është e vendimarrësve në Kosovë”, tha zyrtarja e lartë e BE-së.

Mogherini mohoi gjithashtu që të jetë bërë pjesë e ndonjë plani të mundshëm për ndarjen e Kosovës, e akuzuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Ne nuk jemi pjesë një plani të caktuar, roli i lehtësuesit është të krijosh kushtet që të dyja palët të bëhen bashkë. Dialogu është i tyre, nuk na takon ne”, tha Mogherini duke shtuar se Brukseli nuk synon të përcaktojë marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, por kërkon që nëse arrihet një marrëveshje ajo të jetë ligjore.

“Shpresoj që do të dominojë zgjuarsia pasi askush nuk do të përfitonte nga ky ngërç në dialog”, tha Mogherini.

Të fundit