Flash News

KRYESORE

'Monitor': Vala e PPP-ve, rreziku që na ka vënë përpara. Ekspertët: Skenari grek mund të bëhet i pashmangshëm

'Monitor': Vala e PPP-ve, rreziku që na ka vënë

Qeveria ka angazhuar deri më tani katër projekte nga paketa “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë, nga 148 miliardë lekë që pritet të angazhohen në total këtë vit. Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë, ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Për shkak të efekteve negative në borxhin publik dhe mungesës së analizës për projektet, kjo formë investimi rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë, sipas përfaqësuesve të FMN dhe BB në Shqipëri. Ekspertët lajmërojnë një skenar grek për Shqipërinë. BE kufizon përdorimin e tyre në vendet anëtare, pas një auditi që gjeti shumë shkelje dhe mungesë leverdishmërie.

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar më herët pas marrjes së mandatit të dytë, qeveria ka nisur një valë të re Partneritetesh Publike-Private e përqendruar te rrugët. Aktualisht totali i kilometrave që do t’i shtohet asetit rrugor shqiptar përmes projektit të Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat llogaritet rreth 167 kilometra. Të paktën kaq mund të llogaritet sipas të dhënave nga projektet në letër, por kjo mund të ndryshojë në varësi të zbatimit faktik ku, herë pas here bëhen korrigjime në funksion të situatës që mund të shfaqet në terren. Kostoja e tyre paraprake llogaritet në 654 milionë euro, edhe pse deri më tani e firmosur me kontratë është vetëm Rruga e Arbrit, me vlerë 240 milionë euro.

Projekti “One billion”, një paketë investimesh prej 148 miliardë lekësh që po aktivizohet nga qeveria “Rama” në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkolla në Tiranë rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë. Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, ka pohuar më herët për “Monitor” se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë.

Gjithashtu, përfaqësuesi i FMN në Tiranë, Jens Reinke ka pohuar po për “Monitor” se Fondi sheh si faktor rreziku koncesionet dhe PPP-të që qeveria ka nënshkruar kohët e fundit, ose planifikon të ndërmarrë, të cilat do të krijojnë detyrime potenciale për partnerin publik.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllëse të marrëveshjes trevjeçare, kërkoi që ndikimi i projekteve me PPP, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht, qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur më parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto-përfitime dhe një analizë të plotë rreziku. Nëse PPP e dhëna deri më tani dhe ato që janë planifikuar të jepen më 2018 do të përllogariteshin si detyrime publike, borxhi i vendit do të shkonte në mbi 87% e PBB, nga rreth 71% që është aktualisht. Duke anashkaluar efektin që kanë në stabilitetin makroekonomik në afat të gjatë, eficenca e projekteve që do të kryhen investimet duket se nuk përputhet me prioritetet kombëtare që ka vendi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Ekspertët: “One Billion”, skenari grek për Shqipërinë

Zef Preçi, nga Qendra Shqipëria për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse ky borxh i ri i fshehtë, i cilësuar PPP, merret në një kohë që fuqia ripaguese e ekonomisë, nuk është e mundur të rritet, shtohen rreziqet. E nëse këto para shkojnë për investime fasadash, pllakash, lulesh, etj., pra nuk hapin vende pune, nuk zhvillojnë industrinë, bujqësinë, etj., përsëritja e skenarit të dhimbshëm grek është e pashmangshme, shtoi ai.

Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministri i Financave, shkon edhe më tej, duke pohuar se nga paketa 1 miliard euro, investimet reale do të jenë vetëm 495 milionë euro.

Sipas tij, fatura që bizneset e ndershme do t’i bëjnë qeverisë, do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ose nga fatura 1 miliard euro që do të paguajë qeveria, vetëm 490 milionë do të jenë investime reale.

Shehu thotë se, “po të supozojmë një interes minimal 10% për kredinë (8% është sot interesi për obligacionet 7-vjeçare) atëherë për pagimin e saj, biznesi duhet të fitojë të paktën 15%. Kështu kosto mesatare e kapitalit (kredi + para të veta) do të jetë minimalisht 12%”, përllogariti ish-zyrtari i lartë i financave”. Ndërkohë, përvoja na tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike, fatura shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve.

Një kredi 13-vjeçare, me 12% interes, që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore, kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie”, sot do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfishi.

Presidenti i UET, Adrian Civici, thotë se njihen disa forma të realizimit të PPP. Por ai konsideron më të rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik, formën e investimeve në dukje private, por që thelb janë publike, si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare.

Eksperti Selami Xhepa mendon se herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht nga paketa e investimeve me PPP, prandaj ai e këshillon qeverinë ta rimendojë seriozisht këtë projekt. Banka Botërore, në një analizë për koncesionet PPP në të gjithë botën, të cilësuar “Benchmarking Public-Private Partnerships Procurement 2017”, cilëson se Shqipëria nuk po i jep PPP, duke i dhënë prioritet ato me nevojat që ka vendi për investime publike. Gjithashtu, Banka Botërore vë në dukje se Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjë metodologji specifike për përballueshmërinë fiskale të këtyre projekteve. Shqipëria nuk ka vlerësuar ndonjë metodologji për vlerësimin e rreziqeve që mbartin këto projekte.

*Marrë me shkurtime nga ‘Monitor’

Të fundit