Flash News

OP-ED

Mos prisni që Ballkani Perëndimor të shpërthejë përsëri. ShBA dhe BE duhet të veprojnë

Mos prisni që Ballkani Perëndimor të shpërthejë

Wesley Clark

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur kam punuar me Richard Holbrooke-un dhe ekipin tonë për të negociuar mbarimin e luftës në Bosnje. NATO dislokoi dhe më pas veproi për të ndaluar pastrimin etnik serb në Kosovë.

Sot, tre shtete të Ballkanit Perëndimor (Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia) janë bërë anëtarë të NATO-s. Kroacia dhe Sllovenia janë bashkuar me Bashkimin Europian. Kosova tani është një vend i pavarur. Shumica e amerikanëve dhe europianëve e kanë arkivuar në mendje këtë konflikt brutal si një problem të zgjidhur.

Fatkeqësisht, kjo nuk është e vërtetë. Zvarritja e konflikteve politike mbi karakterin etno-fetar të këtyre kombeve vazhdimisht kërcënon të shpërhapet në kriza kombëtare dhe rajonale, duke e bërë rajonin një objektiv kryesor të ndërhyrjeve të fuqive të huaja. Një përzierje e ndezshme e qeverisjes së dobët, stanjacionit ekonomik dhe institucioneve të dobëta demokratike ka lënë një minoritet të vogël, por të rëndësishëm, të prekshëm nga rekrutimi i xhihadistëve të dhunshëm. E gjithë kjo e lë rajonin një terren për shfrytëzim nga organizatat terroriste dhe ndërhyrjet nga të huajt, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë.

Për t'i bërë gjërat edhe më keq, rajoni vuan nga lënia pas dore e demokracive që ishin të rëndësishme për t'i dhënë fund luftërave jugosllave.

Duke besuar se e ardhmja demokratike e Ballkanit ishte anëtarësimi në BE, Shtetet e Bashkuara kryesisht ia dorëzuan Brukselit përgjegjësinë për zhvillimin politik, institucional dhe ekonomik të rajonit. Megjithatë, inercia politike brenda BE ka mbajtur Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë duke pritur në prapaskenë. Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Europa flenë, fuqitë e tjera po marrin vëmendje.

Kremlini po rrit ndjeshëm ndikimin. Rusët po punojnë për të nxitur ndjenja anti-europiane dhe anti-NATO. Ata po mbështesin grupet ekstremiste (njëri prej të cilave është nën hetim në Bosnje për aktivitete të dyshuara paraushtarake) dhe po japin ndihmë ushtarake të targetuar. Kremlini gjithashtu ka nxitur flakët e ndarjes etnike përmes fushatave të dezinformimit që nxisin popullata të krishtera ortodokse kundër myslimanëve, duke synuar qëllimisht tensionet që ushqyen luftërat jugosllave të viteve 1990.

Ndërkohë, Turqia dhe shtetet e Gjirit po investojnë shumë në Ballkanin Perëndimor. Turqia është investitori i tretë më i madh në Bosnje dhe udhëheqësi i partisë kryesore myslimane të Bosnjes udhëton rregullisht në Stamboll për photo ops (foto propagandë) me Presidentin, gjithnjë e më shumë autoritar turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Arabia Saudite dhe fqinjët e saj në Gjirin Persik kanë përqëndruar kontributin e tyre në mbështetje të organizatave fetare, ndërtimin e xhamive të reja dhe ofrimin e mësimit fetar ndaj imamëve vendas. Interpretimi i ashpër vehabist i Islamit, që shpesh është baza e një trajnimi të tillë, ka pak lidhje me traditën e moderuar që është praktikuar në Ballkan për shekuj me radhë, dhe është e lidhur me fondamentalizmin në rritje në rajon.

Rreth 1,000 luftëtarë të huaj (kryesisht nga Kosova dhe Bosnja) kanë luftuar në Shtetin Islamik në Siri dhe Irak. Megjithëse numri i luftëtarëve të huaj nga Ballkani po zvogëlohet, mjediset në të cilat këto individë u bënë radikalë dhe dobësitë në rekrutimin midis segmenteve të pakënaqur të popullsisë, vazhdojnë të jenë një shqetësim në rajon. Problemi i ri-integrimit të luftëtarëve të huaj të kthyer përbën një sfidë edhe më të vështirë.

Së fundi, Kina gjithashtu po kërkon të shtojë ndikimin e saj në rajon. Nën iniciativën e saj "Një brez, një rrugë", Pekini është gati të sigurojë investime të mëdha për të nisur projekte infrastrukturore që janë të nevojshme për Ballkanin. Por, siç e kemi parë në Afrikë, një investim i tillë pothuajse gjithmonë vjen me fije të tjera.

Është e qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Europa duhet të mbeten të përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor - me një theks të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike në mënyrë që qeveritë të mund të adresojnë nevojat e qytetarëve të tyre.

Një zonë e tregtisë së lirë e Ballkanit Perëndimor e propozuar kohët e fundit nga udhëheqësit e rajonit mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Por, një iniciativë e tillë nuk duhet të shihet si një zëvendësim për garancitë e mundshme që duhet të sigurohen nga NATO dhe BE. Një rrugë e qartë për hyrjen në BE do t'i nxiste vendet e rajonit për të bërë reformat e nevojshme politike dhe ekonomike, për të rritur bashkëpunimin e tyre dhe për të adresuar tensionet ndëretnike në rritje.

Natyrisht, përpjekje të tilla do të duheshin për të siguruar mbështetje popullore në mënyrë që të ecnin përpara - një sfidë në një rajon ku popullsia mbetet e ndjeshme ndaj qëndrimeve ndaj institucioneve si NATO.

Megjithatë, sipas një sondazhi të fundit, edhe pse serbët, kroatët dhe myslimanët e Bosnjës janë të ndarë në shumë çështje, ata janë të bashkuar kundër Shtetit Islamik dhe dëshirën e tyre për të trajtuar problemet ekonomike. Anëtarësimi në NATO do të ishte më i lehtë për t'iu shitur serbëve etnikë të rajonit (që priren të jenë pro-rusë dhe anti-NATO) nëse anëtarësimet konturohet si ndihmë në nxitjen e stabilitetit më të madh rajonal.

Mund të sigurohemi që miliarda dollarë të tatimpaguesve të investuara në këtë rajon nuk janë humbur duke ndihmuar organizatat që kanë mbështetur demokratizimin e këtyre vendeve si: Instituti Kombëtar Demokratik dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan. Ne kemi parë rëndësinë e vazhdueshme të këtij lloji të punës me iniciativa të tilla si Task Forca e sapokrijuar kundër ekstremizmit, e cila po ndihmon ligjvënësit në Bosnje të përshtaten me sfidët gjithnjë në lëvizje të ekstremizmit të dhunshëm.

Ne kemi shumë mjete në dispozicion për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Le të sigurohemi që të mos i humbim investimet e jashtëzakonshme që kemi bërë në këtë rajon të trazuar dhe t’a ripërtërijmë angazhimin tonë për të ndihmuar këto demokraci të reja për të arritur potencialin e tyre të plotë.

*Gjenerali në pension Wesley K. Clark është ish Komnadanti Suprem i NATO-s. Aktualisht ai është anëtar senior në UCLA Burkle Center për Marrdhënie Ndërkombëtare dhe CEO i Wesley K. Clark & Associates.

**Marrë nga Washington Post. Përktheu për Politiko.al: Liridon Cecja.

Të fundit