Flash News

KRYESORE

Mos u gënjeni nga temperaturat e larta, rreziku i përmbytjeve s’ka kaluar ende

Mos u gënjeni nga temperaturat e larta, rreziku i përmbytjeve

Ndonëse prej tre ditësh reshjet e shiut janë ndërprerë thuajse në të gjithë territorin dhe temperaturat janë rritur ndjeshëm, duket se rreziku i përmbytjeve nuk ka kaluar ende.

Sipas parashikimeve nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta sërish pasi reshjet do të rikthehen në të gjithë territorin. Kështu, ditën e nesërme pritet që niveli i ujit në këto zona të rritet edhe më shumë.

“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Nesër (e hënë, dt.12) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të RRITEN PRURJET në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Në pjesën fushore të basenit që i përket Lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të vazhdojë të ketë nivele të larta të ujit por ZVOGËLIM të sipërfaqes së përmbytur përgjatë ditës së sotme, por me tendencë për RRITJE TË NIVELEVE DHE RREZIKUT ditën (e hënë, dt.12). Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të ngelen të larta për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumi Drin”, sqaron Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

RESHJET

Sot pasdite (e diel, dt.11) dhe nesër (e hënë, dt.12) priten reshje në të gjithë territorin.

Në qarkun Shkodër dhe Lezhë reshjet priten të jenë intesive dhe lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan mesatare deri lokalisht intesive, të shoqeruara edhe me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Shumica e reshjeve priten gjatë ditës së nesërme.

TEMPERATURAT

Nesër (e hënë, dt.12) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 12 / 18 °C

në vendet e ulëta: 10 / 18 °C

në vendet malore: 6 / 16 °C.

Të fundit