Flash News

KRYESORE

Mosmarrëveshja me LDK-në, deputetja e Vetëvendosjes paralajmëron zgjedhje të reja në Kosovë

Mosmarrëveshja me LDK-në, deputetja e Vetëvendosjes

Që prej zgjedhjeve të parakohshme të zhvilluara më 6 tetor në Kosovë, duket se deri tani mes dy partive kryesuese Vetëvendosje dhe LDK nuk është arritur ende një marrëveshje për koalicionin qeverisës.

Pika e ‘nxehtë’ ku nuk është arritur ende kompromisi mes tyre është kryesisht pozicioni i presidentit. Ky fakt ka bërë që të shtohen edhe më shumë zërat se nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në 26 dhjetor, dita kur mbahet seanca konstituive e Kuvendit, atëherë vendi do të shkojë edhe një herë drejt zgjedhjeve.

Çfarë shkruan deputetja e VV, Arbërie Nagavci:

Data 26 dhjetor është dita kur duhet të konstituohen institucionet e vendit. Jo vetëm Kuvendi, por paraprakisht të jetë arritur dhe marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të LV! dhe LDK- së.

Si fitues të zgjedhjeve dhe si partia e parë në vend jemi të angazhuar e përkushtuar të arrimë marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në, të marrim përsipër përgjegjësitë që na janë besuar dhe të fillojmë punën e cila do të jetë e shumtë e jo e lehtë.

Duke ditur sfidat që na presin, është tejet e rëndësishme që të kemi mirëbesim paraprak e përkushtim për të qeverisur me profesionalizëm, dinjitet e transparencë. Kjo arrihet duke respektuar partnerin, duke bërë propozime, duke gjetur pikat që na ofrojnë e duke hapur mundësitë e bashkëpunimit.

Kushtëzimet e barikadimet janë e kundërta e këtyre më sipër, andaj dhe duhet të shmangen.

Qeveria Kurti do të sjell ndryshimet që i presin qytetarët, do të filloj një etapë të re për vendin, andaj duhet angazhim i të gjithëve që puna të filloj sa më parë.

Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çdo temë me interes për ne, për vendin e për partnerin qeverisës, sigurisht në kuadër të kompetencave ligjore, vlerave e principeve demokratike dhe brenda përgjegjësive kushtetuese.

LV! duke qenë gjithnjë konsekuente në qëndrimet e saj, ka mbrojtur ato me argumente. Kështu, në interes të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me LDK-në, jemi pajtuar që të propozojmë për kryesues/e të Kuvendit një kandidat/e të LDK-së, ndonëse kjo e drejtë na takon neve si fitues të zgjedhjeve, dhe jemi pajtuar të ndajmë përgjegjësitë udhëheqëse ministrore në mënyrë të barabartë.

Mund të flasim dhe për presidentin, madje jemi të interesuar të punojmë seriozisht në gjetjen e një kandidati ose kandidateje të denjë, konsensuale e që paraqet unitetin e popullit, ashtu si e kërkon kushtetuta. Andaj pasi të jemi dakorduar plotësisht për qeverisjen, mund të angazhohemi seriozisht për pozitën e të parit apo të parës së vendit.

Me mirëkuptim, me seriozitet e dashuri për vendit, ndryshe duhet të kthehemi dhe një herë tek sovrani.

Të fundit