Flash News

KRYESORE

Mustafa Nano tregon se përse u deportua mësuesi turk nga autoritetet shqiptare

Mustafa Nano tregon se përse u deportua mësuesi turk nga autoritetet

Mustafa Nano mendon se mësuesi turk i cili u deportua në Turqi në kundërshtim me ligjet shqiptare, pasi kërkohej si pjesëtar i lëvizjes Gylen, e pati këtë fat sepse kryeministri Edi Rama nuk “ia prish dot” presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. Për gazetarin, kjo është poshtërsi, ndërsa ai i kërkoi falje mësuesit turk në emër edhe të atyre që mendojnë si ai.

Në datën 1 janar, një shtetas turk me emrin Harun Çelik iu dorëzua autoriteteve turke në Rinas vetëm disa orë pas marrjes së vendimit për largimin e tij. Vetëm disa orë, në një kohë që duheshin pritur disa ditë, në një kohë që duhej pritur ankimimi i tij ndaj këtij vendimi. Pse u veprua kështu? U veprua kështu, sepse kryeministri shqiptar nuk ka fuqi t’ia prishë Erdoganit.

Për Ramën është më e rëndësishme që t’i bëhet rrogoz Erdoganit. Sepse Erdogani ka në dorë, kushedi për ç’arsye të çuditshme, ‘t’ia shtrydhë k..et’.

Harun Çelik, me profesion mësues, është në Turqi tanimë. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me të. Dhe mua më vjen që, në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që këtë punë e shohin si unë, t’i kërkoj falje publikisht.

Unë mendoj se shoqëria shqiptare, dhe sidomos shteti shqiptar, duhet të të merrte në mbrojtje, duhet të të jepte azilin politik. Sepse dikush mund të dorëzohet në duart e dikujt që thotë: ma jepni se dua ta gjykoj mbi bazën e provave që kam mbledhur, por nuk mund të dorëzohet në duart e dikujt që thotë: ma sillni këtu terroristin. Sepse kështu i bie që tjetrit i është dhënë dënimi pa u bërë gjyqi.

Edhe njëherë, të kërkoj ndjesë, i dashur Harun, për këtë poshtërsi të kryer nga autoritetet e shtetit tim!”, tha në monologun tij “Provokacja”, Nano.

Të fundit