Flash News

KRYESORE

Mustafaj tregon 3 pikat e forta të Berishës: Me kë i pinte kafet në Tiranë dhe udhëtimet jashtë…

Ish-ministri i PD-se ne qeverine e Berishës, shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj, zbulon disa ane te panjohura per ish-kreun e demokrateve. Ne parathenien e librit te Alfred Leles, “Fjalori politik i Sali Berishës ’90-’92″, teksa te fton per nje lexim nga i cili do te dilni te befasuar me ate qe do lexoni, Mustafaj numeron tri pikat e forta te doktorit, qe e bejne te pakonkurrueshem.

“Qysh në fillim, Sali Berisha e ka përfshirë retorikën me arsenalin e mjeteve të veta për të arritur qëllimet politike. Kjo nxjerr në pah orientimin e tij të shpejtë e të drejtë në profesionin që sapo kishte filluar. Ai mishëronte në personalitetin e vet disa cilësi shumë të zhvilluara, të cilat, besoj unë, e ndihmuan për ta gjetur këtë orientim pa humbur kohë. Ndër këto cilësi, unë do të veçoja me këtë rast tri si përcaktueset për stilin e komunikimit të tij politik”- shkruan Mustafaj.

Ja tri pikat e forta te Berishes, sipas Mustafajt 

Së pari, kultura e tij e përgjithshme shumë e gjerë. Qysh në fundin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, Sali Berisha, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, kardiolog me një nam të mirë në ngjitje, po shihej gjithnjë e më me respekt në rrethet intelektuale të Tiranës. Kjo në sajë një kulture humaniste të pasur, që i jepte atij më së paku një vend të barabartë në biseda edhe me ata që vinin nga fushat e shkencave shoqërore apo të artit. Nuk kam njohur asokohe njeri që të lexonte aq shumë sa Sali Berisha.

I pasionuar veçanërisht pas historisë dhe artit, ai në të vërtetë linte përshtypjen se lexonte gjithçka. Jashtë mjediseve të spitalit apo të shtëpisë së vet, ai shihej shumë rrallë në shoqëri me mjekë. Dallohej që mjedisi profesional nuk i mjaftonte më. Kafja e tij rituale, zakonisht në barin e Hotel Tiranës, ishte me shkrimtarë (përfshi këtu dhe Ismail Kadarenë), me gazetarë, me kompozitorë, me diplomatë.

Kultura e tij u zgjerua ndjeshëm pasi nisën udhëtimet jashtë. Fillimisht, një specializim njëvjeçar në Paris e më pas, kur u zgjodh anëtar i Këshillit Shkencor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, udhëtimet e tij ishin më të shpeshta, kryesisht në Europë. Lexonte tashmë lirshëm dhe shprehej mjaftueshëm në katër gjuhë të huaja: rusisht, frëngjisht, anglisht dhe italisht.

Së dyti, aftësia e tij e spikatur për ta përdorur gjuhën. Askush, besoj unë, nuk e mban mend Sali Berishën ndonjëherë të heshtur në një tavolinë. Pajtimin apo mospajtimin e vet lidhur me çfarë flitej, ai e ka shprehur gjithmonë, madje duke u shkuar me pasion dhe këmbëngulje argumenteve të tij deri në fund dhe sipas mënyrës së tij, domethënë imponuese. I ndihmuar edhe nga zëri bubullues, ai i detyronte miqtë e tij ta dëgjonin pa e ndërprerë. Studentët e tij, që më ka qëlluar të njoh, tregonin se “leksionet e Doktor Berishës ishin shumë të bukura”.

Që unë e kuptoj se gjuha e tij ishte aq interpretuese, sa i bënte shumë tërheqëse edhe dijet mjekësore, të cilat presupozohet të jenë pa ndonjë poezi në përmbajtjen e tyre. Kjo lloj oratorie, e zhvilluar në mjedise të ngushta, informale, si edhe në mjedise universitare, siç ishin auditoret e Fakultetit të Mjekësisë, me sa duket, si ushtrim për t’i hequr atij ndrojtjen dhe ngurrimet e natyrshme të fillestarit kur të hidhej në skenën e madhe e të përndezur publike si protagonist politik.

Së treti, energjia e tij. Unë nuk e kam parë Sali Berishën kurrë të mundur nga lodhja. Nuk e kam parë kurrë t’i shmanget një pune apo ta shtyjë për më vonë për shkak të zgjatjes së orarit apo të angazhimit të tepruar në një punë të mëparshme. Sali Berisha ka pasur gjithmonë dhe vazhdon të ketë një aftësi të pashoqe për rigjenerimin e energjisë fizike të trupit të vet. Pikërisht energjia i ka dhënë ligjërimit të tij një dinamikë të lartë, e ka bërë fjalën e tij më ndikuese.

Kjo energji kishte një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos në periudhën 1990-1992, kur publikut nuk i mjaftonte vetëm semantika e ligjërimit për të besuar se frika po vritej e liria po lindte triumfalisht. Pasioni i deklamimit përcillte te dëgjuesi bindjen e vetë Sali Berishës se ai besonte thellësisht tek ato që thoshte. Nëpërmjet kësaj energjie të pashtershme, retorika e tij arrinte të bëhej ndërtuese./Panorama

Të fundit