Flash News

KRYESORE

Ndalimi i kandidimit për Fredi Belerin në Himarë, Athina reagon kundër. A do tërhiqet sërish Tirana?

Ndalimi i kandidimit për Fredi Belerin në Himarë, Athina reagon

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë për të mos lejuar Fredi Belerin të kandidojë si i pavarur për bashkinë e Himarës në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

KQZ mori vendimin për shkak të së kaluarës së Belerit, i cili rezulton i dënuar në Greqi dhe në Shqipëri, por Athina e konsideron tepër shqetësues ndalimin e kandidimit të kreut të OMONIA-s.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, i përbërë nga anëtarët e partive politike,  për të mos lejuar kandidimit e zotit Beleri është tepër shqetësues. Me sa jemi në dijeni deri më tani ky vendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë përfaqësuesit e minoritetit”, thuhet në deklaratë.

Në vitin 1999, Gjykata e Athinës e ka dënuar Belerin me 18 muaj burg për mbajtje pa leje të armës. Nga ky dënim, ai nuk ka kryer burg. Ndërsa në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste. Edhe për këtë vendim nuk ka kryer burg.

Mbetet për t’u parë nëse institucionet e Shqipërisë do të tërhiqen sërish përballë reagimit të Athinës, njësoj siç vepruan pak muaj më parë për çështjen e pronave në jug të vendit, kur vendimi i Këshillit të Ministrave u zhduk nga çdo faqje zyrtare.

Të fundit