Flash News

OPINEWS

Konflikti në Nagorni-Karabah, ku përplasen interesat e Rusisë, Turqisë dhe Perëndimit

Konflikti në Nagorni-Karabah, ku përplasen interesat e Rusisë,

Zoran Meter/ Gjeopolitika

 

Muajin e kaluar shpërtheu konflikti luftarak Në Kaukazin Jugor në zonën e Nagorni-Karabahut, një rajon i diskutueshëm dhe malor, me madhësi 11.000 Km katror, rreth të cilit që prej dekadash konfliktohen Armenia dhe Azerbejxhani. Nagorni-Karabahu është i banuar në shumicë nga armenët etnikë, por në kohën e BRSS-së ishte në përbërje të Republikës Sovjetike të Azerbejxhanit dhe pastaj, në momentin e shërpërbjes së perandorisë sovjetike, u shkëput nga  Azerbejxhani. Pas luftës së përgjakshme për Nagorni-Karabahun, luftë e zhvilluar në vitet 1992-1994, mes Armenisë dhe Azerbejxhanit, në të cilën fitoi Armenia, Nagorni-Karabahu shpalli pavarësinë, domethënë republikën, të cilën askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk e njohu, përfshirë edhe vetë Armeninë, e cila megjithatë, ruajti të drejtën e garantit të sigurisë së këtij territori. Azerbajxhani asnjëherë nuk është pajtuar me humbjen e këtij territori, por edhe me humbjen e shtatë rajoneve të tjera që rrethojnë Nagorni-Karabahun dhe të cilët që në vitin 1994 janë de fakto nën pushtimin e forcave armene. Për këtë shumë herë që atëbotë e deri tani kanë ndodhur incidente dhe konflikte mes forcave armene dhe azerbejxhanase në linjën e ndërkufizimit, shumica me intensitet të ulët, dhe e fundmja e fortë shpërtheu kësaj vere në zonën Tovuz, ku pati të vdekur dhe të plagosur nga të dyja palët.  Pikërisht kjo luftë e shkurtër por edhe kryqëzimi i ashpër mes këmbësorisë dhe artilerisë, për të cilin në këtë moment është e vështirë të thuhet se sa do të zgjasë dhe çfarë do të sjellë si rezultat, gjë për të cilën do flasin diçka më shumë më poshtë në këtë tekst.

Nagorni-Karabahu bën pjesë në radhën e “pikave nevralgjike” sovjetike ose vatrave të krizës me rrezik të lartë potencial, ku përplasen interesat e lojtarëve të mëdhenj globalë dhe për të cilin konflikti eventual i pakontrolluar luftarak mund të përhapet shumë shpejt në tërë Kaukazin dhe në Lindjen e  Afërme fqinjë. Nagorni-Karabahu është në nivelin e vatrave të krizës siç janë përshembull Tajvani ose Ukraina, madje, deri diku, edhe Bosnjë e Hercegovina, potenciali eksploziv i së cilës është mbajtur nën kontroll me synim nga ana e fuqive të mëdha, para të gjithave SHBA-të, nëpërmjet imponimit të paqes me çdo çmim dhe zgjidhjeve të padrejta rreth ndërtimit të shtetit shumënacional, në mënyrë që, sipas nevojës, të ndizet sa hap e mbyll sytë fitili i kësaj “fuçie baruti” e cila mund të hedhë në erë jo vetëm Bosnjë e Hercegovinën por edhe tërë rajonin e botën mbarë (sepse dihet që në këtë territor u luajt edhe shkaku formal për Luftën e Parë Botërore si pasojë e atentatit të Sarajevës kundër trasdhëgimtarit të fronit austro-hungarez Franc Ferdinand, megjithëse shkaqet natyrisht ishin krejt tjera dhe shumë më të thella).

Këtu është me rëndësi të theksohet se Armenia, e cila ka një shumicë banorësh të krishterë, antare e pandanit të NATO-s, Organizata e Marrëveshjes mbi Sigurinë e Përbashkët (OMSP), si dhe faktit se Rusia në Armeni ka prej dekadash një bazë ajrore të madhe të sajën, bazë kyçe për veprimtari në drejtimin strategjik jugor- drejt Lindjes së Afërt, gjë që tani merr shumë rëndësi për shkak të aktivitete luftarake ruse në Siri. Nga ana tjetër, Azerbejxhani, pas pavarësimit të tij, si një vend me popullsi shumicë muslimane vendosi lidhje shumë të forta, siç thonë vëllazërore, me Turqinë, gati në atë nivel saqë të dyja palët tani shprehen se bëhet fjalë për “një popull në dy shtete”. Në Turqi, sipas  vlerësimeve të ndryshme, sot jetojnë nga 10 mijë deri në 700 mijë azerbejxhanas- disa prej tyre me qëndrim të përhershëm, disa të tjerë të punësuar përkohësisht ose  me qëllime studimi. Marrëdhëniet ekonomike mes këtyre dy shteteve janë shumë të zhvilluara dhe Turqia, është partneri më i madh tregtar i Azerbajxhanit pas Rusisë. Përveç kësaj, Azerbajxhani i siguron Turqisë së etur për energjentë edhe një pjesë të nevojave të saj për gaz natyror, kryesisht qëkur është vënë në funksionim gazsjellësi TANAP (gazsjellësi transanadollian), i cili zgjetet që nga burimi i gazit kaspikian “Shah Deniz” e deri në Turqi, dhe në të, në kufirin turko-grek lidhet gazsjellësi TAP (gazsjellësi transadriatik) i cili do ta shpjerë gazin azerbejxhanas në territorin e Bashkimit Europian. Para pak kohësh, duke filluar nga bregdeti shqiptar është  ndërtuar pjesa e fundit, domethënë TAP- ka arritur deri në pikën fundore – në Itali, por ende nuk  është vënë në funksionim.

Për shkak të këtyre fakteve të njohur nga të gjithë, shumë veta sot në botë mendojnë me naivitet se Rusia, si edhe më parë, edhe në konfliktin e tanishëm do të rreshtohej automatikisht në anën e Armenisë dhe kundër Azerbejxhanit, ku më së shumti si argument paraqitet forcimi i ndikimit turk në Azerbejxhan dhe ku, në rast të një fitoreje ushtarake azerbejxhanase, ndikimi turk në tërë Kaukazin do të forcohej, ndërsa ai rus do të dobësohej. Megjithëse këto janë konstruksione disi subjektive nuk ka dyshim që e kanë logjikën e tyre. Por ajo që tani për tani është e dukshme është fakti se deri tani Rusia në lidhje me Nagorni-Karabahun nuk do të mbështesë asnjë palë në këtë luftë të pakuptimtë që mund të shpjerë deri në fitoren përfundimtare të secilës palë në konflikt. Duke mbajtur këtë pozicion, Rusia gjithsesi nuk ka për ta humbur ndikimin e saj dominues në këtë rajon. Në ndryshim nga Turqia, e cila ka ndikim vetëm në Azerbajxhan, Rusia vitet e fundit ka zhvilluar dhe dëshiron t’i zhvillojë akoma më shumë, lidhje të forta me Azerbajxhanin, me të cilin e lidh edhe historia e gjatë e përbashkët që nga koha e Perandorisë Ruse. Është fakt se Rusia është aleate ushtarake me Armeninë, por kjo nuk e pengon Moskën që të eksportojë në Azerbajxhan armatime gjithfarëshe dhe të zhvillojë me të marrëdhënie të gjithanëshme- që nga ato politike dhe ekonomike e deri te ato kulturore dhe ushtarake. Një shembull pak i njohur që mund ta dëshmojë këtë fakt: në Azerbajxhan sot ka rreth 200 shkolla ku mësim i zhvillohet në gjuhën ruse, në të cilat fëmijët azerbajxhanas mësojnë rusisht, njihen me kulturën ruse etj. Ndërsa, besojeni këtë ose jo, në territorin e Armenisë nuk ka asnjë shkollë ruse të vetme. Edhe vetë Azerbajxhani është mirë i vetëdijshëm për vështirësitë e realizimit të interesave dhe synimeve të tij kyçe, për më tepër nëpërmjet mbështetjes te Turqia. Për këtë, në kohën kur në vitin 2017 u përhapën zëra se Turqia ka ndërmend të ndërtojë një bazë ushtarake, kreu shtetëror i këtij vendi i hodhi poshtë menjëherë këto zëra, duke deklaruar se në territorin e Azerbajxhanit nuk ka për tu ndërtuar kurrë asnjë bazë ushtarake e huaj. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Bakuja dhe Ankaraja nuk bashkëpunojnë në fushën ushtarake, përkundrazi, ky bashkëpunim ushtarak nuk është sekret. Turqia e furnizon këtë vend me armatime moderne, përfshirë edhe avionët pa pilot- dronë. Është interesante të vëmë në dukje se Izraeli i ka shitur Azerbajxhanit para disa vitesh dronët e tij, gjë për të cilën nuk e pengoi fakti se Azerbajxhani, krahas Iranit fqinj, është i vetmi vend në botë me shumicë popullsi muslimane shiitë (rreth 80%) dhe, nëse abstragojnë Bahreinin e vogël dhe të parëndësishëm në Gjirin Persik ku shiitët janë gjithashtu shumicë, por oborri mbretëror dhe administrata e vendit janë sunitë, janë plotësisht të varur nga Arabia Saudite. Natyrisht, as fakti se Turqia është shtet popullsia e të cilës janë shumicë muslimanë sunitë nuk luan kurrfarë roli në bashkëpunimin e saj me Azerbejxhhanin i cili është i shkëlqyer, gjë që në vetvete flet për atë sesa të pakuptimta janë këmbënguljet në ndarjet mes këtyre dy drejtimeve të islamit, të cilët kryesisht instrumentalizohen sipas nevojave të qeverive lokale, qoftë edhe të fuqive të huaja të cilat nuk kanë asnjë lidhje me islamin.

Por, t’i kthehemi temës. Përveç asaj që Rusia në Kaukaz ka ndikimin më të fortë, për Azerbajxhanin ka rëndësi të ketë parasysh se Rusia, sëbashku me SHBA-të dhe Francën janë antare të të ashtuquajturit Grup të Minskut të OSBE-së, që është i ngarkuar me zgjidhjen e krizës në Nagorni Karabah. Sikurse shihet në atë grup nuk bën pjesë as Turqia, as Kina dhe as ndonjë shtet tjetër.

Përsa i përket Turqisë, pozita e saj është plotësisht ndryshe. Në këtë konflikt ajo është e angazhuar fuqishëm dhe haptazi në anën e Azerbajxhanit, të cilit është e gatshme t’i ofrojë “çfarëdo ndihme” që ai kërkon. Presidenti turk Erdogan i bën thirrje pa ndërprerje Azerbajxhanit që ta zgjidhë me forcë ushtarake çështjen e rikthimit të territoreve të tij. Me këtë rast i bën thirrje edhe Grupit të Minskut të OSBE-së i cili që prej 30 vitesh nuk është në gjendje ta zgjidhë këtë problem, por në të vërtetë: këtë problem e ka “ngrirë” (megjithatë, “i ngrirë” që prej pothuajse 50 vitesh është edhe problemi qipriot, me republikën e panjohur kryengritëse “Republika turke e Qipros së Veriut”, por Ankaranë kjo nuk e pengon aspak). Për më shumë, Erdogani është kaq kurajoz saqë para dy javësh i’u kundërvu deklaratës së përbashkët të Donald Trampit, Vladimir Putinit dhe Emanuel Makronit (krerët e Grupit të Minskut) mbi nevojën urgjente të ndërprerjes së aktiviteteve luftarake rreth Nagorni Karabahut dhe fillimin po urgjent të dialogut si zgjidhja e vetme e mundshme. Erdogani tha se operacioni ushtarak azerbajxhanas do të vazhdojë, dhe dialogu për këtë çështje mund të fillojë vetëm pas tërheqjes së plotë të ushtrisë armene.

Këto qëndrime maksimaliste të Erdoganit mund të kenë si qëllim “zgjimin” e grupit të Minskut nga gjumi shumëvjeçar dhe gjetjen e një zgjidhje përfundimtare, sepse status quo-ja duket qartë se nuk është më e mundur.

Kjo zgjidhje, sëpaku në njëfarë faze të parë mund të jetë tërheqja e ushtrisë armene nga 7 zonat azerbajxhanase të përmendura më lart që rrethojnë Nagorni-Karabahun dhe që janë pushtuar në luftën e viteve 1992-1994, krahas dhënies së sigurisë vetë Nagorni-Karabahut (në të cilin armenët do të vazhdojnë të mbajnë ushtrinë e tyre), sepse në këtë rast rajoni faktikisht do të bëhej i shkëputur nga Republika e Armenisë.

Ka mundësi që, në njëfarë mënyre, Moska tani për tani dëshiron të ndëshkojë kryeministrin armen Nikola Pashinjan (sipas disave, i përkëdhelur i Sorosit), i cili mori pushtetin para dy viteve me revolucion nga forcat proruse në Erevan dhe filloi intensifikimin e kontakteve të tij me SHBA-të, gjë në të cilën e kufizoi vetëdija për kërcënimi ushtarak azerbajxhanas dhe Rusia si mbrojtësja e vetme reale e Armenisë nësë vjen puna deri te ky skenar. Natyrisht, këto janë vetëm idetë e mia mbi gjendjen në të cilën situata mund të ecë edhe në drejtime të tjera që mund të jenë pikërisht radikalizimi i mëtejshëm i cili, megjithatë, nuk është në interesin e asnjërës prej palëve në konflikt, përfshirë edhe Turqinë. Por, ka rëndësi të nënvizohet se Pashinjani shumë shpejt pas marrjes së pushtetit në Erevan, i tha presidentit azerbajxhanas Ilham Alijev se, për të arritur një zgjidhje paqesore, i nevojitej pak kohë që të njihej me situatën, duke patur parasysh se partia e tij është e re dhe ende nuk ka një shikim të plotë mbi problematikën gjë të cilën e kishin partitë e larguara nga pushteti që kishin drejtuar për një kohë të gjatë Armeninë. Alijevi ia dha këtë shans Pashanjinit, ndërkohë që ky i fundit pas  njëfarë kohe deklaroi publikisht se në përbërje të ekipit negociues të Nagorni-Karabahut (që e udhëheq Grupi i Minskut) duheshin përfshirë edhe përfaqësuesit e Nagorni-Karabahut (gjë që nuk kishte qenë kështu deri atëherë) dhe ky ishte një sinjal i qartë për Bakunë se zgjidhja paqesore nuk mund të realizohej dhe se Pashinjani është për “ngrirjen” e konfliktit.

Përse hyja në luftë në Kaukazin e Jugut nuk është në interesin e Turqisë

Turqia momentalisht është në një situatë ekonomike mjaft të vështirë (e përkeqësuar akoma më shumë edhe nga epidemia Covid-19, me pasojat negative të së cilës po përballet tërë bota). Lira turke javën e kaluar arriti rënien më të madhe historike të saj, dhe kjo ishte pasojë direkte e frikës së investitorëve nga përfshirja turke në Nagorni Karabah. Përveç kësaj, Turqia është e angazhuar ushtarakisht edhe në Siri, në Veri të Irakut dhe në Libi, gjë që po i kushton tejet shumë. Por shkaku më i madh është gjithsesi evitimi i çfarëdo përshkallëzimi të konfliktit me Rusinë, i cili në këtë rast do të ishte shumë i mundshëm.

Kreu shtetëror turk niset nga një tezë disi e thjeshtëzuar në lidhje me çështjen e Nagorni-Karabahut. Kësisoj, ministri turk i punëve të jashtme Mevlud Çaushoglu kërkoi indirekt para pak kohësh nga Rusia bashkëpunim me Turqinë në lidhje me këtë problem, me arsyetimin, nëse të dy vendet (Rusia dhe Turqia) mund të bashkëpunojnë mirë në lidhje me problemin e Sirisë dhe Libisë, përse atëherë nuk mundkan të bashkëpunojnë edhe për këtë aktualin. Megjithatë, Moska nuk ka të njëjtin mendim kur vjen puan për Kaukazin, sepse aty fillon “thembra e Akilit” e saj dhe ndjek me shumë interes çfarëdo dukurie që eventualisht mund të shpjerë në radikalizimin e gjendjes nëpërmjet manipulimit me islamin, ose më mirë të themi terrorizmin. Rusia ka vendosur ta luftojë terrorizmin larg kufijve të saj dhhe këtë e tregoi me ndërhyrjen ushtarake në Siri. Tani për tani ajo nuk ka ndërmend të ndajë me Turqinë ndikimin e saj dominues, jo sepse kërkon ta shfrytëzojë mbifuqinë e saj ushtarake për fodullëk apo nga inati, por për diçka krejtësisht tjetër. Moska do t’ia hapte me shumë dëshirë dyert jo vetëm ndaj Azerbajxhanit por edhe tërë hapësirës muslimane të Azisë së Mesme ose më mirë të themi të shteteve të lindura nga shpërbërja e BRSS-së, sikur Turqia të bëhej antare e Bashkësisë euroaziatike ekonomike në të cilin këto vende janë antarë dhe me të cilët Turqia ka plane të mëdha. Por përderisa Turqia të jetë antare e aleancës së NATO-s Rusia nuk mund t’ia lejojë Turqisë këtë komoditet. Madje as edhe në rastin kur Erdogani t’i jepte Putinit garanci më të forta të mundshme për atë se Turqia në Kaukaz nuk ka për të punuar kurrë kundër interesave kombëtare ruse. Sepse askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë sjell e ardhmja, së çfarë do të bëhet me Turqinë pasi Erdogani të mos jetë më president, çfarë forcash politike mund të vinë në pushtet dhe çfarë politike të jashtme do të bëjë ky vend në të ardhmen.

Vështirë të besohet se Erdogani, në këto kushte globale gjeopolitike dhe në këtë krizë ekonomike dëshiron të rrezikojë me futjen e vendit të tij në një konflikt me Rusinë për shkak të Nagorni-Karabahut. Edhe një goditje tjetër, siç ishte rrëzimi i bombarduesit rus në qiellin e Sirisë në nëntor të vitit 2015 dhe marrëdhëniet ruso-turke nuk do të mund të gjallëroheshin më dhe do të prisheshin për një periudhë afatgjatë. Për këtë është e sigurt se Turqia nuk dëshiron të godasë Rusinë, por në radhë të parë Emanuel Makronin ose më mirë të themi Francën. Franca është vendi i cili ka detyrim të mbrojë interesat armene si antare e Grupit të Minskut, por edhe ndërmjet tjerash edhe për shkak të lobit armen me shumë ndikim në shoqërinë franceze. Megjithatë Franca nuk është në gjendje të bëjë asgjë në kuptimin fizik në Kaukaz dhe këtë Erdogani e di mirë. Për këtë tani Turqia Francës (e cila është përzier në sferat e interesit të Turqisë në Mesdheun Lindor dhe në Libi, gjë për të cilën nuk ka asnjë të drejtë gjeografike dhe as kulturo-civilizuese sepse as që bën pjesë në atë zonë), i vë asaj “shkopinj nën rrota” që nga Afrika dhe Siria e deri në Kaukaz.

Këtu, si mundësi, do të dëshiroja të shtoja edhe diçka tjetër: ka mundësi që Turqia nëpërmjet ngucjes së operacioneve ushtarake në Azerbejxhan deri në fund, domethënë deri në fitoren përfundimtare (gjë për të cilën merita e Ankarasë do të ishte tejet e madhe dhe Bakuja do t’i mbetej përjetësisht mirënjohëse) i dërgon një sinjal paralajmërimi Bashkimit Europian i cili, pikërisht tani, po mendon për vënien e sanksioneve ndaj Turqisë për shkak të sjelljes së saj në Mesdheun Lindor, sepse Azerbajxhani shumë lehtë mund të heqë dorë nga furnizimi me gaz nëpërmjet gazsjellësit TAP të lartpërmendur ose nga bashkëpunimi me BE nëpërmjet platformës mbi partneritetin lindor dhe me këtë të “shkëputet” përfundimisht nga Perëndimi. Vetë Azerbajxhani me siguri që nuk do të dëshironte të mbetej përjetësisht dhe eskluzivisht te Turqia dhe kësisoj të bëhej vasali i saj, pavarësisht nga ngashnjimi i frazave mbi “dy shtete dhe një popull”. Sepse kur e shijon një herë lirinë dhe pavarësinë (dhe kjo përherë realizohet me derdhje gjaku), nuk heq dorë aq lehtë për t’ia lënë fatin tënd një tjetri. Vëllai është vëlla, por vëllezërit nuk kanë fort qejf të varen nga njëri tjetri, por të ndihmojnë njëri tjetrin kur është nevoja.

Këtë analizë do të doja ta mbyllja me mendimin se as Armenia dhe as Azerbajxhani nuk kanë potencial ekonomik për një luftë të gjatë dhe dërrmuese e cila do të mund të sillte fitoren e njërës palë. Për këtë mendoj se ky konflikti i tanishëm rreth Nagorni-Karabahut do të përmbyllet relativisht shpejt dhe se do të fillojnë bisedime serioze, ndoshta bash në drejtimin për të cilin u fol më sipër. 

Përse i përket zgjidhjes përfundimtare të vetë rajonit të Nagorni Karabahut duhet pritur akoma- sëpaku deri në zgjidhjen e problemit të Qipros Veriore, i cili gjithsesi dikur duhet zgjidhur.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

Të fundit